Ish-mbrojtësi i Tottenham Hotspur dhe përfaqësuesi i Zvicrës, Ramon Vega, ka bërë të ditur se synon të kandidojë për president të FIFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke u bërë kandidati i parë që publikisht konfirmon se do ta sfidojë Gianni Infantinon.
Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të mbahen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut, ndërsa Infantino po kërkon një mandat të ri në krye të organizatës.
Vega, 55-vjeçar, ka luajtur për Zvicrën nga viti 1993 deri më 2001, ndërsa gjatë karrierës së tij në klube ka veshur fanellat e Cagliarit, Tottenhamit, Celticut dhe Watfordit.
Me Tottenhamin fitoi League Cup në vitin 1999, ndërsa me Celticun triumfoi në kampionat, Kupën e Skocisë dhe League Cup në sezonin 2000/01.
Në manifestin e tij, Vega ka premtuar reforma të thella në FIFA dhe rikthimin e besimit në institucionin më të madh të futbollit botëror.
“Qëllimi im është i qartë: t’i shërbej futbollit dhe njerëzve që i japin jetë këtij sporti”, ka shkruar Vega.
Ai ka kritikuar gjithashtu drejtimin aktual të FIFA-s, duke pretenduar se qeverisja e dobët ka dëmtuar kredibilitetin e organizatës dhe ka ulur besimin në familjen e futbollit.
Kandidatura e Vegas vjen në një moment kur Infantino po përballet me kundërshtime në rritje.
Federata Zvicerane e Futbollit ka tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e tij, ndërsa edhe federata të tjera evropiane kanë hequr mbështetjen.
UEFA ndërkohë ka paralajmëruar se synon të paraqesë një kandidat rival para përfundimit të afatit të nëntorit.
Megjithatë, Vega ende duhet t’i plotësojë kriteret për të qenë zyrtarisht në garën presidenciale.
Ai duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën pesë federatave anëtare të FIFA-s dhe të kalojë procesin e kontrollit të integritetit.
Kjo nuk është hera e parë që Vega tenton të hyjë në garën për presidencën e FIFA-s.
Ai kishte eksploruar kandidaturën edhe në vitet 2015, 2019 dhe 2022, por nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen e nevojshme.












