“Merkuri është retrogradë”, “Venusi po kthehet pas”, këto shprehje janë bërë pjesë e përditshmërisë së horoskopit. Por çfarë ndodh realisht kur një planet hyn në retrogradë dhe pse astrologët u kushtojnë kaq shumë rëndësi këtyre periudhave?
Në astronomi, retrograda nuk do të thotë se planeti fillon të lëvizë fizikisht mbrapsht. NASA shpjegon se bëhet fjalë për një lëvizje të dukshme: për shkak të pozicioneve dhe shpejtësive të ndryshme të Tokës dhe planetit në orbitat e tyre, nga Toka duket sikur planeti po ndryshon drejtim në qiell.
Në astrologji, megjithatë, retrograda interpretohet simbolikisht si një periudhë rishikimi, kthimi pas dhe reflektimi.
Por jo të gjitha retrogradat konsiderohen njësoj.
Merkuri – komunikimi dhe vendimet
Merkuri lidhet astrologjikisht me komunikimin, dokumentet, udhëtimet dhe teknologjinë. Për këtë arsye, retrograda e tij është ndoshta më e famshmja dhe interpretohet si periudhë ku duhet kontrolluar dy herë informacioni dhe vendimet.
Venusi – dashuria dhe paratë
Venusi konsiderohet më i rëndësishëm për marrëdhëniet, vlerat personale dhe financat. Retrograda e tij interpretohet si kohë për të rishikuar lidhjet, ndjenjat dhe mënyrën se si vlerësojmë veten.
Marsi – energjia dhe konfliktet
Kur Marsi është retrogradë, astrologët e lidhin periudhën me energjinë, motivimin, zemërimin dhe mënyrën se si veprojmë. Mund të ketë më shumë nevojë për të menduar para se të reagojmë.
Saturni – përgjegjësitë
Saturni retrogradë lidhet me rishikimin e kufijve, përgjegjësive, karrierës dhe planeve afatgjata.
Uran, Neptun dhe Pluton
Këta planetë janë retrogradë për pjesë të mëdha të vitit. Në astrologji, ndikimi i tyre konsiderohet më shumë kolektiv dhe afatgjatë, sesa një ndryshim i menjëhershëm në jetën e një individi.
Pra, cilat janë “më të rrezikshmet”?
Shkencërisht, asnjëra. Nuk ka prova që retrogradat shkaktojnë probleme në jetën e njerëzve.
Në astrologji, megjithatë, Mërkuri, Venusi dhe Marsi konsiderohen më personale, ndërsa Saturni, Urani, Neptuni dhe Plutoni lidhen më shumë me procese afatgjata.
Dhe një gjë është e sigurt, retrogradë nuk do të thotë domosdoshmërisht periudhë e keqe. Në interpretimin astrologjik, është më shumë një ftesë për të ndaluar, rishikuar dhe korrigjuar atë që nuk po funksionon.