Jeanne Shaheen nderohet si “Qytetare Nderi” e Sarajevës, në agjendë edhe vizita në Kosovë

Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen e filloi të mërkurën vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor, duke udhëhequr një delegacion të Kongresit amerikan që përfshin edhe senatorin demokrat Dick Durbin. Në Sarajevë, ajo u shpall “Qytetare Nderi e Qytetit të Sarajevës” për vitin 2025.

Të lidhura

None found

Delegacioni amerikan do të qëndrojë në rajon nga 6 deri më 13 tetor dhe, përveç Bosnje e Hercegovinës, do të vizitojë Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Kosovën. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur data e saktë e vizitës së Shaheenit në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në këto vende, senatorja pritet të zhvillojë takime me zyrtarë qeveritarë, personel diplomatik amerikan, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të rinj udhëheqës. Në fokus do të jenë siguria rajonale, demokracia, mundësitë ekonomike dhe raportet me Shtetet e Bashkuara, thuhet në ueb-faqen e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan.

Kjo është vizita e fundit e Shaheenit në krye të një delegacioni të Kongresit amerikan në cilësinë e anëtares së rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Mirënjohja e Sarajevës për Shaheenin

Vendimi për ta nderuar senatoren u motivua nga mbështetja dhe angazhimi i saj shumëvjeçar ndaj Bosnje e Hercegovinës, si dhe nga kontributi për thellimin e marrëdhënieve mes këtij vendi dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas Sarajevës, Shaheen ka vepruar për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe prosperitetit të Bosnje e Hercegovinës, ndërsa ka përkrahur edhe aspiratat euroatlantike të vendit.

Çmimi iu dorëzua nga kryetari i Sarajevës, Samir Avdiq, në një ceremoni të zhvilluar në komunën e Sarajevës. Gjatë karrierës së saj politike, Shaheen e ka vizituar disa herë Bosnje e Hercegovinën.

Paralajmërimet për rolin e Rusisë në rajon

Si demokratja më e lartë e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, Shaheen prej kohësh ka paralajmëruar për kërcënimet ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe ka kërkuar një prani më të madhe të Shteteve të Bashkuara në këtë pjesë të Evropës.

Për Bosnje e Hercegovinën, ajo ka përsëritur mbështetjen amerikane për sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të saj. Sipas saj, angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit.

Në shkurt të këtij viti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, Shaheen udhëhoqi delegacionin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan në takimet me anëtarin e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, dhe me përfaqësuesin e atëhershëm ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Gjatë atyre takimeve, ajo shprehu shqetësim për retorikën dhe veprimet separatiste të ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke paralajmëruar se ato mund të rrezikonin Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe dhe stabilitetin e rajonit.

Tetorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ua hoqën sanksionet Dodikut, anëtares së Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, si dhe disa anëtarëve të familjes së Dodikut.

Në një intervistë për REL-in, Shaheen tha se Rusia ka interes për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, të cilin Moska e konsideron “një front të dytë të mundshëm”. Ajo theksoi se SHBA-ja duhet të sigurohet që Rusia ta kuptojë se forcat amerikane në rajon “janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po e përcjellin atë që po ndodh”.

Duke folur për rrezikun e një destabilizimi që mund të përfshijë Bosnje e Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, senatorja tha se shqetësimi lidhet me afrimin e Serbisë dhe serbëve në entitetin e Bosnjës, Republika Sërpska, me Rusinë, si dhe me interesin rus për përshkallëzimin e situatës në rajon.

“Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ruajtur stabilitetin në rajon. Gjithashtu, duhet ta bëjmë të qartë se edhe ushtria jonë po e përcjell situatën me shumë kujdes”, tha Shaheen, e cila është bashkëkryesuese e Grupit të Senatit për Mbikëqyrjen e NATO-s.

Senatorja rikujtoi se NATO-ja ka forca në Kosovë, ndërsa EUFOR-i zhvillon misionin e tij në Bosnje. “Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto forca janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po e përcjellin atë që po ndodh”, deklaroi ajo.

Shaheen vlerësoi se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë çmos për ta frenuar luftën hibride ruse kudo që kjo është e mundur. “Kjo nuk është vetëm në interes të Amerikës, por edhe në interes të aleatëve tanë evropianë”, shtoi senatorja.

E pyetur për aktivitetet ruse përgjatë krahut lindor të NATO-s, Shaheen tha se Moska nuk e kufizon luftën hibride vetëm në atë zonë dhe se Serbinë e shfrytëzon si “pikë kalimi”.


Shtuar më 8.10.2026 07:39

Quantcast