TIRANË- Në Kuvend kalon sot për votim drafti i PS për hartën e re territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Opozita e ka kundërshtuar ashpër draftin e PS, duke thënë se po kalon në mënyrë të njëanshme dhe synon shpopullimin e Shqipërisë. PD ka thirrur demokratët në protestë, ndërsa në anën tjetër janë mbledhur edhe protestuesit e “Revolucionit Flamingo”.
Para nisjes së seancës, kryeministri Edi Rama mblodhi të tijtë në mbledhje grupi, ku mungoi Belinda Balluku. Deputeti Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe në mbledhje ka votuar pro. Tashmë pritet që të shihet edhe qëndrimi i Erion Braçes në seancë. Por, me votën pro të Sinajt dhe 3 votat e PSD-së së Tom Doshit, PS do t’i arrinte 84 votat për miratimin e reformës.
Ndërkohë, socialistët rrëzuan kërkesën e PD që të hiqej nga rendi i ditës pika për miratimin e reformës territoriale, si edhe kërkesën për mocion me debat dhe interepelancë me Ramën për SHISH.
Lajm në përditësim...
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shkel ligjin me reformën territoriale, pasi sipas tij nuk është marrë mendimi i banorëve të bashkive që preken nga ndarja e re. Bardhi kundërshtoi shkrirjen e Bashkisë së Divjakës, ndërsa ngriti pikëpyetje për mbajtjen e Bashkisë së Vaut të Dejës duke pretenduar se kjo lidhet me interesat politike të Tom Doshit.
"Ligji të detyron që në relacion të përfshish mendimin e popullatës. Në relacion ke thënë që nuk e ke marrë mendimin e popullatës. Si futet në procedurë një iniciativë që shkel ligjin? Nuk ka mendime të qytetarëve që preken nga reforma. Si të futem të votoj kur më mungon një element që ligji e ka të detyrueshëm?
Me çfarë logjike shkrihet Bashkia e Divjakës dhe mbahet në këmbë, që për ne duhet të qëndrojë në këmbë, Vau i Dejës? Ta kërkoi Tom Doshi, se e ka bashki personale? Ka rënë numri i banorëve, prandaj po i shkrijnë bashkitë. Këtë shpopullim a nuk e solli reforma juaj e vitit 2015? Tani të shpopullojmë edhe 15 bashkitë që shkrijmë", tha Bardhi.
Tensione në Kuvend gjatë seancës plenare ku po diskutohet reforma territoriale. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u përplas me kryeparlamentarin Niko Peleshi.
Gazment Bardhi: Si mund të më pengojë mua Garda të dal në foltore, të lëviz? Kush e futi Gardën brenda, apo të them? Kush i fut këta brenda që të më pengojnë mua? Kush ua jep të drejtën?
Niko Peleshi: Ligji.
Bardhi: Jo nuk ia jep ligji që të pengojë deputetin të flasë.
Niko Peleshi: Parlamenti nuk është arenë gladiatorësh.
Deputeti i PD-së, Enno Bozdo kundërshtoi në Kuvend draftin e socialistëve për reformën territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po vendos për shkrirjen e 15 bashkive pa diskutuar më parë për financat, decentralizimin dhe autonominë vendore.
"15 bashki që shkrihen janë marrë me shqelma, por duhet të ikin. Sapo na u bë ftesa nga grupi i PS-së t'i bashkohemi reformës territoriale. A mund të më thoni si mundet të grabitet harta pa folur më parë për financat, decentralizimin, pa folur për autonominë vendore?
A mundet të ndahet harta siç ndahet byreku në tavolinë, pa folur për gjëra kaq të rëndësishme? Dhe kur për financat, për decentralizimin, për autonominë vendore, që është rrënuar nga Rama, nuk flitet fare.
Do t'i fshijë bashkitë nga harta dhe pastaj do të na ftojë ne pas një jave të diskutojmë se si mund të bëhet më mirë harta territoriale", tha ai.
Debate në Kuvend mes kreut të PD-së, Sali Berisha dhe deputetit socialist Blendi Klosi gjatë diskutimeve për reformën territoriale. “Çfarëdo që të bëni, nuk do të shpëtoni, jeni të marrë fund”, iu tha Berisha socialistwve por pwrgjigjen e mori nga Blendi Klosi i tha se tw gjitha bashkitw do t’i fitojnw.
Sali Berisha: Në Parlament, një dhunë dhe terror i paparë ka shpërthyer ndaj qytetarëve që sot protestojnë në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. Një dhunë e paparë ka shpërthyer ndaj të rinjve, burrave dhe grave të mbledhur nga e gjithë Shqipëria. Kërkoj stop dhunës ndaj protestuesve, kërkoj që të pranohen dhe të dëgjohen në Parlament. Janë përfaqësues nga të gjitha partitë.
E kuptoni se çfarë ndodh? Ka 54 udhëtime të regjistruara me Begon e tij. A mund të kishte një vend në botë që mbante në Parlament shoqëruesin e një supertrafikanti, që i mori mbiemrin trafikantit? Ajo çoi burrin në SPAK sot… Olta. Jeni marrë, çdo ministër me kontrabandë, edhe vetë Olta. Oltat, Lubitë mund të kenë interesa të tjera përveç interesave kriminale të klanit? Është absurde…
Ju garantoj që fatin e Edi Ramës do të kesh, të ka marrë si letër të fundit… Këtij Demos ia kam fjalën dhe mendon se dhuna do t'i ndalë. Çfarëdo që të bëni, nuk do të shpëtoni, jeni të marrë fund.
Blendi Klosi: Jemi më të fortë se kurrë. Jemi të gatshëm t'ju sfidojmë që, nga të gjitha bashkitë që do të dalin sot, ju të merrni më pak se gishtat e dorës bashki, të cilat mund t'i merrni vetëm nëse ne bëjmë ndonjë gabim. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që dalin sot nga votimi, ne do t'i fitojmë. Prapë me hile, frikacakë! Nuk merrni dot një vendim në profilin tuaj politik. Nuk doni të flisni kur të hapet diskutimi dhe flisni tani që është për procedurë, për të thënë që ne do të ikim se do të shkojmë te protesta. Ne jemi këtu për t'u përballur me argumente. Ne mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta.
Sali Berisha: Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton përgjigje. Ai është skllav i vesit. Shumëzojeni me zero diskutimin që bëri.
Përplasje në Kuvend mes Gazment Bardhit dhe Elisa Spiropalit gjatë debateve për reformën territoriale. Bardhi i kërkoi Spiropalit të shpjegojë përse nuk dëgjon qytetarët, siç kishte propozuar në platformën e saj me 10 pika. Deputetja socialiste iu përgjigj se i qëndron çdo qëndrimi të shprehur në platformë dhe akuzave se u shantazhuan nga Rama që votojnë pro, iu përgjigje se ajo nuk kërcënohet.
Gazment Bardhi: Shoh këtu një kolege (Elisa Spiropalin), e cila solli një platformë me 10 pika, ku thoshte se duhet të dëgjojmë qytetarët. Pse nuk i dëgjon sot qytetarët?
Elisa Spiropali: S'ka njeri këtu të më shantazhojë mua. S'je ti zëri i qytetarëve. Nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetë e ca ish-drejtues të PD-së së lavdishme në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot.
Por po të them edhe diçka tjetër, që nuk mund të përdoret këtu çdo mikrofon për të folur për të njëjtën çështje. Unë u qëndroj një më një gjërave që kam thënë në platformë dhe pa platformë. E kam prezantuar edhe në Asamblenë e PS-së, ashtu siç ju nuk guxoni të thoni qoftë edhe një fjalë as në Kryesi, as në mbledhje.
Ju s'keni parti, ju keni vetëm një njeri në krye. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit dhe të kontrollit të pushtetit, nga pushteti lokal deri në pushtetin qendror. Ju jeni mishërimi i personalizimit ekstrem të pushtetit, deri në katandisje.
Deputetja demokrate Ina Zhupa i kërkoi Vullnet Sinajt që të votojë kundër draftit të PS për reformën territoriale dhe ti qëndrojë deklaratave të tij kundër shkrirjes së bashkisë së Selenicës.
“A ka Vullnet Sinaj t'i qëndrojë asaj që ka thënë më 3 gusht, që Selenica nuk duhet të shkrihet? A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe t'i qëndrosh fjalës që u ke dhënë qytetarëve? Po injoroni 15 këshilla bashkiakë që kanë votuar kundër. Po përplaseni me qytetarët jashtë kësaj salle, të cilët ju kërkojnë t'i dëgjoni. Ju keni marrë urdhër të qëndroni si ushtarë për të votuar Ramaformën. Tërhiquni, nuk e hoqët nga rendi i ditës po keni mundëis të votoni kundër”, tha Zhupa.
Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e PD-së për heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për reformën territoriale. Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kërcënuar deputetët socialistë për të votuar pro draftit draftit që parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
"Me çfarë i kërcënoi sot Rama brenda sallës së Kuvendit? Për turpin e tyre, do të damkosen si tradhtarë dhe turpi ka për t'i mbuluar jo vetëm ata, por këdo prej jush që do të ngrejë një karton pro shpopullimit të vendit", tha Blushi.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi iu përgjigj Taulant Ballës për reformën territorial. Bardhi tha se bashkitë janë lënë pa kompetenca dhe financime, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ushtruar presion ndaj deputetëve të PS-së në mbledhjen e grupit për të votuar pro draftit.
“Fjalim si ai i vitit 2015. Po bëjmë reformë territoriale, do t'i japim më shumë kompetenca e para pushtetit lokal, do të ofrojmë më shumë shërbime. Por se çfarë ndodhi, e dinë shqiptarët pas 10 viteve. Shërbimet nuk shkuan, u nis autobusi për jashtë vendit. Bashkitë u lanë pa kompetenca, pa financime dhe, në fakt, kryetar bashkie u bë ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ai është kryetari i të gjitha bashkive të Republikës. Ai jep lejet e ndërtimit, vendos ku do të shkojnë fondet, ku do të ndërtohet qendra e qytetit. U bë de facto kryetar i 61 bashkive.
Shoh këtu një kolege, solli një platformë me 10 pika që duhet të dëgjojmë qytetarët, pse nuk dëgjon sot qytetarët?
Patjetër që kjo do të votohet. Ju sollët një njeri që njeh kodin mafioz, kërcënoi deputetët tuaj. I kujtoi ata që kanë shumë për të humbur dhe ndërruan Qëndrim”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se socialistët e kanë marrë miratimin e qytetarëve për reformën territoriale në zgjedhjet e 11 majit, pasi ishte pjesë e programit të tyre elektoral. Balla theksoi se drafti do të votohet sot, ndërsa ftoi opozitën të pranojë ngritjen e një komisioni të posaçëm për kompetencat që do t'u transferohen bashkive.
"Ne e kemi marrë dakordësinë më 11 maj, se kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë, Shqipëria 2030. Shqiptarët na dhanë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ftesa ime nuk është të mos diskutojmë. Ne do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës. Ftesa ime është t'i përgjigjeni ofertës që ju bëra një javë më parë. Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Nëse qeshni, e sa herë ju kam parë të qeshni e të zgërdhiheni si sot, unë po ju them: keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave.
Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Jemi gati t'u transferojmë bashkive të reja kompetenca, pasi sot ato bashki që shkrihen nuk i kryejnë këto funksione. Votojmë kundër kërkesës", tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi nga foltorja e Kuvendit tërheqjen e menjëhershme të draftit të PS-së për reformën territoriale. Blushi e cilësoi projektligjin antikombëtar dhe shpopullues, ndërsa tha se vota e çdo deputeti do të përcaktojë nëse ai është patriot apo tradhtar.
"Drafti antikombëtar, shpopullues, që gjoja e keni servirur si reformë territoriale. Sot është ditë historike, ku sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot është dita kur çdo deputet do t'i vendosë damkën vetes, sepse çdo qëndrim dhe çdo votë e tij sot do të marrë një emër: patriot ose tradhtar.
Kjo seancë sot ka vetëm një rend dite: tërheqjen urgjente të këtij projekti kriminal, që nuk synon asgjë tjetër veçse shkombëtarizimin dhe zhbërjen e Shqipërisë", tha Tedi Blushi.
PD-së kërkoi në Kuvend heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për reformën territoriale, duke e cilësuar atë armiqësor ndaj qytetarëve. Kreu i PD, Sali Berisha propozoi mbajtjen e një referendumi, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që vendosin.
Sali Berisha: Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që kemi ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre. Hidheni poshtë këtë projekt, për të cilin nuk ka qytetar shqiptar, i çdo bindjeje politike, që voton.
Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që, mbi të gjitha, ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë, me shërbimet e tyre, me të ardhmen dhe zhvillimin e komuniteteve kudo që janë.
Hidheni poshtë dhe të shkojmë në referendum me dy variante. Cilin variant të votojnë qytetarët, atë të votojmë dhe ta sanksionojmë këtu.
Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar deputetëve socialistë statutin e PS-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke paralajmëruar ata që kanë shprehur kundërshtime ndaj reformës territoriale. Në nisje të takimit, kreu i grupit Taulant Balla u ka kërkuar socialistëve të votojnë edhe njëherë për draftin qe shkrin 15 bashki. Ndryshe nga mbledhja e kaluar, këtë herë vetëm deputeti Erion Braçe u shpreh sërish kundër.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se menjëherë pas këtij momenti, Rama i është drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Braçes, me të cilin ka patur edhe një debat të ndezur. Deputeti socialist mësohet se ka përsëritur edhe njëherë kritikat e shprehura edhe gjatë mbledhjes së kaluar të grupit për Territorialen.
Debati mes tyre është mbyllur me paralajmërimin e Ramës se nëse nuk do t'i bindej vendimit politik të grupit për një votë pro, atëherë ishte automatikisht i përjashtuar. Menjëherë pas kësaj, Rama mësohet se është larguar nga mbledhja.
Ndërsa Vullnet Sinaj i cili kishte shprehur hapur rezerva ndaj reformës territoriale dhe kishte votuar kundër në mbledhjen e kaluar, kësaj radhe ka ndryshuar qëndrim.
Në mbledhjen e grupit, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, mësohet se Sinaj ka votuar pro draftit të PS-së që shkrin 15 bashki. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në seancë Erion Braçe, i cili është shprehur kundër reformës.
Pak para nisjes së seancës plenare, kreu i PD Sali Berisha tha se do të bëjnë gjithçka për të ndaluar miratimin e reformës territoriale. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i ushtron presion deputetëve të tij që të votojnë pro. Berisha foli edhe për protestën për të cilën tha se është e qytetarëve dhe se do jetë një protestë pa simbole partiake.
Sali Berisha: Opozita do të mbrojë deri në fund interesat e qytetarëve. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë. Do t'u sqarojmë shqiptarëve se si shkelen interesat e tyre për karrigen e Ramës, se si Rama, para fundit të pushtetit, është i aftë të ndërmarrë çdo akt.
Asnjë votë, asnjë votë! Asnjë deputet i PD-së dhe i opozitës nuk e voton.
Ai i ka mbledhur aty dhe po u ushtron terror. I ka kapur me libër dhe regjistër shtëpie: ti ke marrë atë tender, ti këtë favor. Po i nënshtron, sepse po bëhet një proces kafkian.
Protesta është e qytetarëve. Ne i kemi thirrur demokratët, por aty ka demokratë, socialistë. Është protestë rinore, qytetare. Janë protestues të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadrin e protestës qytetare, pa simbole partiake. Do të jetë protestë e njerëzve që shohin se po shkelen në mënyrë kriminale interesat e tyre.

Grupi i PS është mbledhur para nisjes së seancës plenare, ku sot pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, por mungoi ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Të dy, në mbledhjen e kaluar të grupit shprehën votën kundër draftit, por pritet të shihet nëse kartonin e kuq do ta ngrenë edhe në seancë plenare. Për tu miratuar drafti i Territoriales, PS i duhen 84 vota. Vota e kundër e dy deputetëve socialistë do ta vinte në rrezik miratimin e reformës.

Sali Berisha ka reaguar lidhur me reformën territoriale që sot është në fokusin e Kuvendit, duke përsëritur thirrjen për protestën para Kuvendit. Berisha kërkon që protestës t’i bashkohet kushdo, përtej bindjeve politike.
“Edi Rama sot ekzekuton 15 bashki për karrigen e tij! Ora 10:00, të gjithë bashkë në protestë para Parlamentit! Përtej çdo bindjeje politike, t'i dalim zot interesit qytetar!”, thotë kreu i PD.
Ndërsa në Kuvend sot pritet miratimi i reformës territoriale, deputeti i PL, Tedi Blushi bën thirrjet që të ndalohet miratimi i projektit që sipas tij synon shpopullimin e Shqipërisë.
“Seanca e sotme plenare ka vetëm një rend dite: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë. Çdo përpjekje tinzare për të imponuar “normalitet punimesh” në një Kuvend të rrethuar me blinda dhe narkopolicë dhe të marrë peng nga mafia duhet përbuzur me neveri.
Sot, çdo deputet që e quan veten shqiptar dhe jo shqip-folës ka vetëm një axhendë: Të mos bëhet pjesë e asnjë farse, të mos votojë shpopullimin e Shqipërisë, të përfaqësojë çdo shqiptar të ngritur në revoltë dhe të jetë në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare që kërkon koha.
Sot është një ditë historike ku do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë. Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar”, shkruan Blushi.
Ndryshe nga qëndrimi i opozitës lidhur me shkrirjen e 15 bashkive pasi do të cenojë identitetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve, socialistët vijojnë me argumentin se reforma territoriale do të jetë në dobi të qytetarëve.
Deputetja e PS në Elbasan, Aulona Bylykbashi ka ndarë një video në rrjetet sociale ku shprehet se identitetet jetojnë në njerëz ndërsa bashkitë më të mëdha ofrojnë më shumë mundësi e kapacitete.
“Nëse nesër do të ndryshojnë kufijtë e bashkisë suaj, a do të ndryshonte kjo kush jeni? Identitetet nuk jetojnë në harta, ato jetojnë në njerëz. Qytetet nuk ndahen nga vija, lidhen nga rrugët, nga puna, nga shkolla, nga familjet. Një bashki më e madhe nuk do të thotë më pak identitet, do të thotë më shumë mundësi. Kur bashkohen kapacitetet, nuk humbet askush sepse historia nuk njeh kufij administrativë, ajo njeh njerëz. Reforma territoriale nuk do të ndryshojë identitetet. Ajo synon të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve”, thotë Bylykbashi.

Vetëm pas pak orësh Kuvendi do të votohet për hartën e re territoriale dhe nga opozita ka ardhur thirrja e parë për ditën e sotme për ndalimin e saj. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale ku shkruan ‘Mos voto reformën territoriale’ dhe bën thirrje se duhet të ndalet projekti i Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.
Ajo shkruan se reduktimi i numrit të bashkive do të centralizojë pushtetin dhe do të largojë shërbimet e qytetarëve. Xhixho shprehet se do të jenë krah këtyre të fundit dhe s’do të lejojnë që Shqipëria të trajtohet si “plaçkë elektorale.”
Reagimi i plotë:
Sot duhet t'i themi NDAL projektit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij për shpopullimin e Shqipërisë!
Reforma e re territoriale nuk është një reformë për qytetarët. Është një skemë politike që synon të përqendrojë më tej pushtetin dhe të krijojë avantazhe elektorale.
Reduktimi i numrit të bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët, duke lënë zona të tëra në funksion të planeve të qeverisë dhe klientëve të saj.
Kjo ndarje territoriale bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mbi të gjitha, ajo përplaset me vullnetin e komuniteteve të 15 bashkive që refuzojnë shkrirjen.
Ne do të jemi në krah të qytetarëve. Do të jemi zëri i tyre përballë një pushteti që po vendos interesin e vet politik dhe interesat e klientëve mbi interesin e qytetarëve.
Shqipëria nuk mund të trajtohet si plaçkë elektorale!







Komente
Komento