Moti sot/ Rikthehen reshjet e shiut, shtrëngata në disa zona të territorit, ç’ndodh me temperaturat
Vendi ynë do të përfshihet sot nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira, reshje shiu dhe shtrëngata në disa zona të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, moti do të jetë kryesisht me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa nuk do të mungojnë intervalet me kthjellime, veçanërisht në zonën e qendrës dhe jugut të vendit.
Reshjet e shiut priten të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në veri dhe pjesërisht në zonën qendrore, reshjet do të jenë hera-herës në formën e shtrëngatave, të shoqëruara edhe me shkarkesa elektrike.
Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 26°C në Vlorë dhe Berat, ndërsa 25°C priten në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Gjirokastër. Në pjesën tjetër të vendit, temperaturat do të jenë 2-3 gradë më të ulëta.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe verilindja, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s. Në vijën bregdetare dhe në lugina, era pritet të forcohet, duke arritur deri në 20 m/s.
Në det do të ketë valëzim të forcës 3 deri në 5 ballë, ndaj priten kushte më të trazuara përgjatë zonave bregdetare.




