Reforma territoriale sot në Kuvend, opozita dhe qytetarët në protestë

Nga A2 CNN
8 Tetor 2026, 08:15 | Politikë

Reforma territoriale sot në Kuvend, opozita dhe qytetarët në

Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00, ku në qendër të seancës plenare është projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale me 46 bashki, një reformë kjo e kundërshtuar nga opozita.

Ndarja e re, që parashikon 15 bashki më pak, kërkon 84 vota për t’u miratuar, por dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë shprehur kundërshtime ndaj hartës së re. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u kujtoi atyre se ky është një vendim politik dhe të gjithë deputetët e PS-së duhet ta votojnë.

Dyshime për votën unison të socialistëve ngriti një ditë më parë në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN edhe gazetari Anri Bala, i cili tha se deputetet Elisa Spiropali dhe Marjana Koçeku mund të rrezikojnë votimin në Kuvend të Reformës Territoriale.

Ndërkohë opozita ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë Kuvendit. Një ditë më parë kreu demokrata Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të bashkohen në protestë për të mbrojtur interesat qytetare.

Sipas tij, Edi Rama reformën territoriale e bën për interesin e tij, ndaj kërkoi që pjesëmarrja të jetë masive.

Por në të njëjtën orë me protestën e opozitës është planifikuar edhe protesta e flamingove, që vijon prej më shumë se 120 ditësh.

Në rendin e ditës janë parashikuar katër interpelanca, mes tyre një kërkesë e grupit parlamentar të PD-së me ministrin e Brendshëm Ervin Demo për reagimin e policisë ndaj protestuesve. Tre interpelanca të tjera janë ndaj ministrave Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj, për çështje që lidhen me autostradën Milot-Balldre, TEC-et lundruese në Vlorë dhe çmimet e produkteve bazë.

Seanca përfshin gjithashtu nëntë projektligje të tjera, që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, bankat, pagesat, mjedisin, treguesit gjeografikë, markat tregtare dhe patentat.

Në rend dite është edhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për kompaninë shtetërore KAYO, si dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Axhenda e plotë e Kuvendit:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.

5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

7. Projektligji "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë"

8. Projektligji "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025".

9. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar".

10. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë"

11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, "Për sistemin e pagesave".

12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar".

13. Projektligji "Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale". 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare".

15. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, "Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë"

16. Projektvendim "Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, "Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake".

17. Projektvendim "Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'"". 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos