Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, me një rend dite të ngjeshur ku në fokus do të jenë “Territorialja”, KAYO dhe katër interpelanca me ministrat.
Sipas rendit të ditës, pas miratimit të procesverbalit dhe njoftimeve, në Kuvend do të zhvillohen katër interpelanca.
E para është me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me reagimin e Policisë ndaj protestuesve. Dy të tjera me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me autostradën Milot-Balldre dhe TEC-et lundruese në Vlorë, ndërsa interpelanca e katërt me ministrin e Financave, Petrit Malaj lidhur me çmimet e produkteve bazë dhe fuqinë blerëse.
Më pas pritet të votohet projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale, që parashikon 46 bashki, 15 më pak se aktualisht dhe që është kundërshtuar nga opozita.
Në rend dite është edhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për KAYO-n, ndërsa do të shqyrtohen edhe disa projektligje të tjera për bankat, sistemin e pagesave, mjedisin, markat tregtare, patentat dhe marrëveshjet kufitare.
Paralelisht me seancën, e cila nis në orën 10:00, PD ka paralajmëruar protestë brenda dhe jashtë Kuvendit. Në të njëjtën orë është njoftuar edhe protesta e “flamingove”.
Axhenda e plotë:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”
8. Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
10. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”
11. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, “Për sistemin e pagesave”.
12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”.
13. Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare”.
15. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”
16. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake”.
17. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'””. 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.














