Bota

Ndërron jetë Maricarmen Abascal, simboli i luftës për strehim në Spanjë!

Maricarmen Abascal, e kthyer në simbolin kryesor të lëvizjes sociale për të drejtat e strehimit në Spanjë, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare në Spitalin “Gregorio Marañón” të Madridit.

E moshuara ndodhej e shtruar në spital që prej 23 shtatorit, ditë kur u ekzekutua dëbimi i saj nga shtëpia në lagjen “Retiro”, banesë ku kishte jetuar për 71 vite me radhë.

Imazhet e nxjerrjes së saj me barelë nga forcat e policisë, mes protestave të qindra qytetarëve, bënë xhiron e botës dhe nxitën një valë të fuqishme reagimesh popullore.

Beteja me fondet e investimit

Maricarmen, e cila jetonte e vetme dhe me një aftësi të kufizuar të certifikuar prej 50%, paguante një qira prej 500 eurosh në muaj që nga viti 1956. Megjithatë, situata ndryshoi drastikisht në vitin 2020, kur ndërtesa u ble nga kompania “Urbangestion”. Pronari i ri e pesëfishoi qiranë duke e çuar në 2,650 euro në muaj, një shumë plotësisht e papërballueshme për pensionisten.

Më 23 shtator u bë dëbimi i saj dhe ajo kishte mbetur në spital që atëherë. Një situatë absolutisht e shmangshme, pas një gjyqi torture, njoftoi Sindikata e Qiramarrësve, e cila e mbështeti atë gjatë gjithë betejës ligjore.

Presioni i madh qytetar bëri që më 29 shtator kompania të tërhiqej dhe të pranonte një marrëveshje historike, sipas së cilës 87-vjeçarja do të kthehej në shtëpi me një qira jo më të lartë se 30% e të ardhurave që kishte. Por marrëveshja erdhi tepër vonë për shëndetin e saj të rënduar.

Përmbysje politike dhe zgjedhje të parakohshme

Vdekja e Maricarmen-it ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik. Qindra mijëra protestues marshuan nga “Puerta del Sol” drejt Kongresit të Deputetëve me thirrjet “Todos somos Maricarmen!” (Të gjithë jemi Maricarmen).

Tragjedia e saj përshpejtoi edhe zhvillimet politike në vend. Qeveria e Pedro Sánchez miratoi dy dekrete emergjente për mbrojtjen nga dëbimet, por ato u rrëzuan në parlament nga opozita e djathtë (Partia Popullore, Vox) dhe partia katalaniste Junts. Si pasojë e kësaj bllokade, Kryeministri Sánchez shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për datën 29 nëntor.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kryeministri Sánchez shprehu ngushëllimet e tij, ndërsa sindikatat dhe lëvizjet sociale kanë thirrur një grevë të përgjithshme kombëtare më 11 nëntor në nderim të kujtimit të saj.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.