
Përplasja për hartën e re territoriale do të zhvillohet sot në dy fronte: brenda Kuvendit për 84 votat e nevojshme dhe jashtë tij, ku opozita ka thirrur protestë paralelisht me nisjen e seancës. Projektligji që redukton numrin e bashkive nga 61 në 46 do të votohet në sallë në orën 10:00. Në të njëjtën kohë, para Parlamentit pritet të mblidhen mbështetës të opozitës për të kundërshtuar ndarjen e re administrative. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për protestë kundër projektit për shkrirjen e 15 bashkive, duke e cilësuar reformën si një vendim të diktuar nga interesat politike të Edi Ramës.
Përgatitjet për protestën kanë nisur që një ditë më parë. Në oborrin e selisë së PD-së janë vendosur manekinë me figurat e Ergys Agasit dhe Erion Veliajt, ndërsa demokratët kanë paralajmëruar aksion edhe brenda Kuvendit.Ende nuk është e qartë nëse kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetët e opozitës do të lënë sallën për t’iu bashkuar protestuesve jashtë. Po në orën 10:00 do të zhvillohet edhe protesta e “Flamingove”.
Mazhoranca duhet të sigurojë 84 vota për miratimin e hartës. Drafti ka hasur kundërshtime jo vetëm nga opozita, por edhe nga dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.Për këtë arsye, çdo votë merr peshë. Në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, ndërsa rezultati i votimit pritet të përcaktojë nëse harta e re territoriale do të kalojë sot në Parlament.