Qamile Metan Marra, 117-vjeçarja nga fshati Ferras i Beratit, do të përfitojë një pension të posaçëm shtetëror, pas një propozimi të Kryeministrit Edi Rama. Nënë Qamilja është bërë e njohur për jetëgjatësinë e rrallë. Në 117 vite jetë, ajo ka parë të rriten pesë breza të familjes së saj, ndërsa edhe në këtë moshë vijon të merret me punët e vogla të përditshme në oborrin e shtëpisë.
Historia e saj tërhoqi vëmendjen e mediave, ndërsa familjarët kishin shprehur publikisht edhe dëshirën që 117-vjeçarja të përfitonte një pension të posaçëm. Pas propozimit të Kryeministrit Rama, Këshilli i Ministrave ka miratuar akordimin e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror për Qamile Meta Marrës, duke i siguruar asaj mbështetje shtesë financiare.
