Qeveria franceze ka pezulluar përkohësisht përdorimin e granatave zhurmuese nga policia gjatë protestave të nxënësve të shkollave të mesme, pas plagosjes së rëndë të një 15-vjeçari.
Ndërkohë, protestat për kushtet në arsim vijojnë në disa qytete të vendit. Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka urdhëruar pezullimin e përdorimit të granatave gjatë demonstratave të nxënësve, pasi një 15-vjeçar humbi njërën dorë gjatë një proteste në Lens, në veri të Francës.
Rrethanat e sakta ende nuk janë përcaktuar. Sipas autoriteteve, rreth 200 protestues hodhën objekte drejt policisë përpara ndërhyrjes së forcave të rendit. Nuñez tha se përdorimi i granatave do të mbetet i pezulluar “derisa të dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur”.
Nëna e 15-vjeçarit konfirmoi se dora e të birit u amputua.
Jeta e tij është vjedhur. Ai është një fëmijë 15-vjeçar, si mund të trajtohen fëmijët në këtë mënyrë?
Ajo mohoi që djali i saj të ishte përpjekur ta merrte granatën.
Protestat kanë nisur për shkak të problemeve të përsëritura në sistemin arsimor, përfshirë mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara, kushtet e dobëta të ndërtesave dhe oraret e gjata mësimore.
Ministri Nuñez deklaroi se që nga fillimi i protestave janë plagosur 215 nxënës dhe 89 anëtarë të stafit të shkollave, ndërsa të paktën 761 efektivë policie kanë pësuar lëndime.
Autoritetet kanë hapur gjithashtu 18 hetime të brendshme lidhur me pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia.