Nga Boldnews.al
Në kulmin e diskutimeve dhe protestave për reformën e re territoriale, ku PS ështe prerë për shkrirjen e 15 bashkive, deputeti Erion Braçe dhe së fundmi edhe Vullnet Sinaj kanë dalë kundër kalimit nga 61 në 46 bashki. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, mësohet se ata janë shprehur kundër reformës për ndryshimin e hartës se re territoriale dhe për këtë kanë lajmëruar votën kundër në kuvend.
Në fund do të jetë çështje numrash, pasi ky është rasti kur Rama do të vërtetojë nëse darët kanë kastruar plotësisht ose jo deputetët e tij, që deri më tani përngjajnë vetëm në “kartonë lëvizës”. Për të kaluar reformën territoriale duhen 84 vota. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, PS siguroi 83 mandate, por sa herë ka kërkuar miratim për “shumicë të cilësuar”, fort të gatshëm kanë qenë tre deputetët e PSD-së së Tom Doshit.
Këtë herë firo mund të vijë nga të tijët. Aktualisht është larguar nga grupi parlamentar i PS-së deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, ndërsa deputetët Braçe dhe Sinaj kanë shprehur kundërshtinë për hartën e re territoriale që shkrin 15 bashki.
Nëse deputetja Koçeku dhe deputetët Braçe dhe Sinaj dalin kundër reformës territoriale, atëherë as votat fort hazër të PSD-së nuk do të vlenin, pasi në një rast hipotetik, maksimumi do të shkonin në 83 vota. Po a janë aq “parimorë” dy deputetët Braçe dhe Sinaj për të refuzuar kryetarin?
Me ritmin e nisur mazhoranca socialiste po kërkon që ta përshpejtojë edhe më shumë një proces që duhet të ishte gjithëpërfshirës, pavarësisht kundërshtisë së opozitës dhe mbi të gjitha të vetë komunitetit dhe përfaqësuesve lokal të bashkive që preken.
Nëse kryeministri e ka ndarë mendjen që ajo reformë që më shumë se territorriale ngjan mirëfilltas politike do të kalojë, atëherë do kthejë edhe një herë sytë nga të tijët. I përhershmi “trazovaç” Braçe, deri më tani ka qenë thjesht një bezdisës i nevojshëm që është vetëofruar për të bërë rolin e “zërit kundër”, i cili sipas “mendjendriturve” pranë pushtetit, tregon që në parti ka demokraci të bredshme, madje edhe “kundërshti me zë çjerrës”.
Mos fshihet një “pazar” më i madh se vetë Braçe dhe Sinaj në këtë mes? Faktet janë se dy deputetët duan më shumë bashkinë sesa partinë dhe deputetllëkun. Braçe ka dalë hapur se synon të jetë kandidat i PS-së për Bashkinë Tiranë, ndonëse nuk është “zgjedhja e parë” e kryetarit. Po ashtu edhe Sinaj ka nisur ta shohë me “interes të shtuar” bashkinë Vlorë. Votat në këmbim të kandidimit? Mbetet për tu parë!












