Aktualitet Politikë

Kuvendi, sot Reforma Territoriale/Opozita dhe qytetarët në protestë!

Kuvendi i Shqipërisë, sot mblidhet në orën 10:00, me fokus projektligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale me 46 bashki, reformë e kundërshtuar nga opozita.

Ndarja e re që parashikon 15 bashki më pak, kërkon 84 vota, çka vihen në pikëpyetje nisur nga kundërshtimet që socialistët Erion Braçe e Vullnet Sinaj kanë shprehur ndaj hartës së re.

Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë Kuvendit. Një ditë më parë, kryetari demokrat, Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive, siç u shpreh, për të mbrojtur interesat qytetare.

Berisha akuzoi kryeministrin se reformën territoriale e bën për interesin e tij. Në të njëjtën orë me protestën e opozitës është planifikuar edhe ajo e qytetarëve që protestojnë prej 130 ditësh.

Në rendin e ditës janë parashikuar katër interpelanca, mes tyre një kërkesë e grupit parlamentar të PD-së me ministrin e Brendshëm Ervin Demo për reagimin e policisë ndaj protestuesve. Tre interpelanca të tjera janë ndaj ministrave Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj, për çështje që lidhen me autostradën Milot-Balldre, TEC-et lundruese në Vlorë dhe çmimet e produkteve bazë.

Seanca përfshin gjithashtu nëntë projektligje të tjera, që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, bankat, pagesat, mjedisin, treguesit gjeografikë, markat tregtare dhe patentat.

Në rend dite është edhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për kompaninë shtetërore KAYO, si dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Axhenda e plotë e Kuvendit:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.

5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

7. Projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”

8. Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.

9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

10. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”

11. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, “Për sistemin e pagesave”.

12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”.

13. Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare”.

15. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”

16. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake”.

17. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'””. 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.