Debati për “Territorialen”! Braçe nuk ndryshon qëndrim, protesta nis sërish në orën 18:00

8 Tetor 2026 | 11:25

Po vijojnë diskutimet në Kuvend për reformën territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin. Seanca plenare po vijon prej disa orësh teksa u regjisitruan incidente gjatë protestave jashtë sallës së Parlamentit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe ka votuar pro reformës, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë Erion Braçe gjatë votimit në Kuvend.

Opozita e ka kundërshtuar draftin e PS-së, duke e akuzuar shumicën se po e kalon reformën në mënyrë të njëanshme dhe se ajo rrezikon të ndikojë në shpopullimin e vendit. Jashtë Parlamentit janë mbledhur edhe protestuesit e “Revolucionit Flamingo”.

Në vijim do të zhvillohen dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Po ashtu, Tedi Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu disa projektligje që lidhen me integrimin europian, sistemin financiar dhe mbrojtjen e mjedisit.

Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Në rendin e ditës janë edhe ndryshimet në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë dhe në ligjin për sistemin e pagesave, si dhe ndryshime në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore KAYO sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

31 Updates
17:22

Mazniku i përgjigjet Braçes: Lushnja kryen funksione që Divjaka nuk i bën

Deputeti socialist Erion Braçe kundërshtoi gjatë fjalës së tij në Kuvend propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, duke shprehur rezerva për mënyrën se si po bëhet reforma.

Pas tij, Arbjan Mazniku replikoi duke argumentuar se reforma territoriale nuk duhet të shihet vetëm përmes numrit të bashkive apo hartës së re, por edhe përmes kompetencave dhe mënyrës se si ato ushtrohen nga pushteti vendor.

Mazniku solli si shembull bashkitë Lushnjë dhe Divjakë, duke thënë se bashkia e Lushnjës ushtron një sërë funksionesh që, sipas tij, Divjaka nuk i kryen në të njëjtën masë.

Ai përmendi planifikimin urban vendor, zhvillimin e turizmit, strehimin social, kujdesin social, arsimin profesional dhe transportin.

“I nderuar z. Braçe, i vlerësoj debatet që kemi bërë për reformën, e cila duhet të ketë jo vetëm hartat, por edhe kompetencat. Jemi në një pikë që humbasim momentumin, nuk do ia dalim dot ose ia dalim përmes këtij mekanizmi që kemi sot”, tha Mazniku.

Duke iu referuar konkretisht ndarjes territoriale, ai vijoi:

“Për të qenë i vërtetë, bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji, as nga qeveria për t’i ushtruar. Planifikimi urban vendor, Lushnja e bën, Divjaka jo. Zhvillimi i turizmit – Lushnja shpenzon, Divjaka jo. Strehimi social është një politikë që bën bashkia, Divjaka nuk e bën”.

Mazniku tha gjithashtu se disa prej këtyre funksioneve mbështeten edhe nga Enti i Banesave, ndërsa shtoi se diferencat shfaqen edhe në fusha të tjera të shërbimeve vendore.

“Kujdesi social për të sëmurët, arsimi profesional, transporti, Lushnja e bën, Divjaka jo”, u shpreh ai.

Në përfundim të replikës, Mazniku e lidhi reformën territoriale me kërkesat për financimin europian, duke argumentuar se planet zhvillimore duhet të hartohen nga pushteti vendor.

“Kohezioni social kërkon që planet zhvillimore të jenë të ndërtuara nga pushteti vendor dhe nëse nuk janë të ndërtuara nga pushteti vendor, nuk financohen nga BE”, deklaroi Mazniku.

🔗 Shpërndaje
17:03

Zbardhet mesazhi i PD-së për strukturat: Kemi qenë shumë mirë sot, mblidhemi në orë 18:00 sërish

Pas protestës së zhvilluar paraditen e sotme kundër reformës territoriale, në rrjetet sociale po qarkullojnë mesazhe për rikthimin e qytetarëve në protestë edhe gjatë pasdites.

Në mesazhet që u atribuohen anëtarëve të Partisë Demokratike, bëhet thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje në protestën e orës 18:00 pranë Parlamentit, me synimin për të vijuar aksionin kundër hartës së re territoriale.

Në një prej mesazheve, aksioni i paradites vlerësohet si “shumë i mirë dhe i fortë”, ndërsa kërkohet që e njëjta energji të vijojë edhe në protestën e pasdites.

“Duhet ta vazhdojmë edhe pasdite, duke e mbajtur të njëjtën energji. Ju lutem, ka shumë rëndësi që pasditen e sotme të jemi përsëri të pranishëm në protestë. Kemi mundësi më të mira edhe për sa i përket orarit”, thuhet në mesazh.

Ndërkohë, bëhet thirrje që të njoftohen edhe qytetarët që nuk mundën të ishin të pranishëm gjatë paradites për shkak të angazhimeve në punë.

“Ju lutem, njoftoni sa më shumë njerëz që nuk patën mundësi të ishin paradite për shkak të punës, që sot në orën 18:00 të jenë te Parlamenti. Të jemi të gjithë bashkë!”, vijon mesazhi.

Në fokus është edhe situata e personave të shoqëruar nga policia gjatë protestës së paradites. Sipas mesazhit, janë angazhuar avokatë për t’u asistuar dhe për të ndjekur situatën e tyre.

“Kemi dërguar avokatë për t’i asistuar dhe për të ndjekur situatën e tyre”, thuhet më tej.

🔗 Shpërndaje
16:49

Braçes i fiket mikrofoni, por vijon të flasë kundër reformës! Deputetët e PD-së: Lëreni të flasë

Debati për reformën territoriale në Kuvend është shoqëruar me një moment të veçantë gjatë fjalës së deputetit socialist, Erion Braçe.

Pasi kishte shprehur kundërshtimet e tij për reformën e re territoriale, mikrofonit të Braçes i është ndërprerë fjala, por deputeti socialist ka vijuar të flasë nga foltorja, duke vazhduar argumentet e tij kundër draftit.

Në një moment të pazakontë, deputetë të krahut të kundërt politik, nga Partia Demokratike, kanë kërkuar që Braçes t’i lihet mikrofoni hapur dhe të vijojë fjalën.

Braçe kishte deklaruar më herët se reforma nuk mund të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës administrative dhe se në qendër duhet të jetë ndikimi që ajo do të ketë te qytetarët.

🔗 Shpërndaje
16:46

Braçe kundër Reformës Territoriale: Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka mbajtur fjalën e tij në Kuvend gjatë debatit për reformën e re territoriale, duke shprehur publikisht kundërshtimet e tij ndaj mënyrës se si është hartuar reforma.

Braçe u ndal fillimisht te marrëdhënia e tij me qytetarët që e kanë votuar ndër vite, duke kujtuar edhe zgjedhjen e tij të parë si deputet në Poliçan.

“U zgjodha deputet për herë të parë në Poliçan nga njerëz që jo vetëm që më votuan, por më strehuan dhe më mjekuan, kur njerëz që janë ende në këtë sallë më donin të humbur dhe të dështuar”, tha Braçe.

Ai theksoi se për 17 vite ka marrë mbështetjen e banorëve të Poliçanit, Beratit e Kuçovës, ndërsa më pas edhe të Kavajës.

“Unë kam jetuar me këta njerëz dhe u jap mirënjohje. Kush mirënjohjen nuk e njeh, lidhjen me këta njerëz nuk e njeh. Nuk është as emocionale dhe as folklorike, është marrëdhënie njerëzore dhe kush nuk e ka, nuk e kupton kurrë”, u shpreh deputeti socialist.

Duke folur drejtpërdrejt për reformën territoriale, Braçe tha se ndër vite janë bërë “eksperimente pas eksperimentesh” me pushtetin vendor.

“Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimentesh. Kam qenë në këtë Kuvend kur kryetar bashkie u bënë deputetë dhe i bënin të dyja këto”, deklaroi ai.

Sipas Braçes, reforma aktuale nuk garanton një zgjidhje afatgjatë, pasi edhe harta e re mund të ndryshojë sërish.

“Harta e provuar shumë herë është e përkohshme dhe, si reformë, tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë, veçanërisht sot paradite, se harta është mundësia politike, më troç, votave që krijon. Kështu ishte edhe në vitin 2014. Më e keqja këtu është që këtu jemi edhe sot”, tha ai.

Braçe theksoi se qëndrueshmëria e reformave duhet të mbështetet te parimet dhe jo te interesat elektorale.

“Edhe kjo hartë, që me gjasë do të ndryshojë, do të marrë fuqi në vitin 2031. Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë dhe kjo u tha hapur dhe pa ndrojtje hiç”, u shpreh deputeti.

Në vijim, ai e vendosi theksin te ndikimi që reforma do të ketë te qytetarët.

“Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”, deklaroi Braçe.

Ai ngriti gjithashtu çështjen e kompetencave dhe financimit të pushtetit vendor, duke iu drejtuar edhe Maznikut.

“Po flas për kompetencat Arbër. Dëgjova që i referohesh kompetencave të bashkisë, që ata nuk i kanë përmbushur. Kompetenca të pasakta. 46 kompetenca janë sot në bashki, këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm”, tha Braçe.

🔗 Shpërndaje
16:39

Tabaku: Territori nuk është pushtet por identitet, Reforma Territoriale i ka shkelur këto parime

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve të propozuara në Reformën Territoriale. Ajo u shpreh se një bashki është me fortë jo kur ka më shumë financa, por kur qytetari dëgjohet. Sipas saj, territori nuk është pushtet por identitet teksa shtoi se Reforma Territoriale i ka shkelur këto parime.

“Sot po na kërkojnë të votojmë reformën territoriale. Po çfarë përfitojnë qytetarët nga kjo reformë që po i vizatohen kufij në hartë. I vetmi diskutim që kam dëgjuar sot ishte ne fitojmë Divjakën, fitojmë Poliçanin por për qytetarin kush mendon.

Për fat të keq sot Tirana është kthyer një çerdhe korrupsioni. Territori nuk është pushtet por identitet dhe kjo reformë i ka shkelur sot këto parime. Një komunitet që bashkohet me një komunitet tjetër humbet një kryetar bashkie. Kjo duhet të ishte një reformë që t’i mbetej qytetarëve. Një bashki është me fortë jo kur ka më shumë financa,  por kur qytetari dëgjohet”, tha Tabaku.

🔗 Shpërndaje
16:26

Ulsi Manja: Edhe 46 bashki janë shumë

Ulsi Manja, ka komentuar në Kuvend debatin për reformën administrativo-territoriale dhe propozimin e opozitës për krijimin e 100 bashkive.

Duke iu përgjigjur diskutimeve për numrin e njësive vendore, Manja e cilësoi si “lojë kungulleshkash” debatin për 46 apo 100 bashki, ndërsa deklaroi se edhe numri 46 është, sipas tij, i lartë.

“Dikush tha pse 46 bashki e jo 100? Lojë kungulleshkash. Personalisht mendoj se 46 bashki janë shumë, por ky është mendimi im personal. Ne duhet të kemi një numër më të vogël bashkish, duke ruajtur standardin e bashkive minoritare që na bën krenarë si shtet”, u shpreh Manja.

Ai i bëri gjithashtu thirrje opozitës që të përfshihet në fazën e dytë të reformës, duke e lidhur këtë me punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

“Faza e dytë e reformës është t’ju ftoj të bashkoheni edhe ju këtë radhë, të shpëtoni atë që nuk e bëtë dot me Komisionin e Posaçëm që e latë në rrugë, latë qytetarët në fakt në rrugë”, deklaroi Manja nga foltorja e Kuvendit.

🔗 Shpërndaje
15:56

Reforma Territoriale, Balla-opozitës: Doni të kapni ndonjë një votë, ne duam të konkurrojmë për standardet e BE

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur lidhur me Reformën Territoriale teksa u shpreh se anëtarësimi në BE kërkon reforma të thella dhe të vështira. Lidhur me propozimin e opozitës për 100 bashki, Balla u shpreh se kjo është një matematikë e Lulzim Bashës.

Sipas tij, pas anëtarësimit në BE, bashkitë do të hyjnë te mekanizmat e kohezionit. Gjithashtu ai iu drejtua opozitës duke i thënë se ata duan të kapin ndonjë një votë, ndërsa qeverua do të konkurrojë për standardet e BE.

“Shumë u thanë dhe besoj që për qytetarët vlen edhe një argument që po diskutohet shumë më pak, por që është kryefjalë e kësaj reforme. Anëtarësimi në BE kërkon reforma të thella dhe të vështira. Janë reforma që duhen bërë me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Edhe kjo reformë që do të nisë punën javën e ardhshme, ka detyrat e saj që lidhen me kapitullin 22. Duhet të kemi gati bashki që në vitin 2030 duhet të zbatojnë standardet e BE. Bashki që dinë të implementojnë dhe dinë të bëjnë projekte. Kryetarët që do të dalin nga zgjedhjet e 2027-ës do të jenë ata që do e bëjnë anëtarësimin të prekshëm për qytetarët. Reforma ishte një sukses. Keni ardhur me një propozim me 100 njësi, sipas matematikës së Lulit.

Ju thoni 100 ne themi më pak. Sot shpenzimet vendore janë 3 herë më shumë. Buxheti vendor, por ju bëj edhe një surprizë, 10 miliardë euro do të jetë buxheti i vitit 2027, ku bashkitë janë përfituese. Ja pra qeveria vendore i ka dhënë më shumë mbështetje nga sa i jepnit ju në pushtetin vendor. Katër herë më shumë mblidhen sot të ardhura nga bashkitë, nga sa mblidheshin në kohën tuaj.

Prandaj do ta ndryshojmë drejtimin e bashkisë, për ta kthyer atë në interesin e qytetarëve. Pas anëtarësimit në BE, bashkitë do të hyjnë te mekanizmat e kohezionit. Ju doni të kapni ndonjë një votë kurse ne duam që të jemi gati të konkurrojmë për standardet e BE. Ne duam që të mos humbim asnjë qindarkë”, tha Balla.

🔗 Shpërndaje
15:35

Berisha: Po shuani bashkitë me një votë, kjo është hakmarrje politike ndaj qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur lidhur me ndryshimet që janë propozuar në reformën territoriale, të cilat i ka cilësuar si një “akt armiqësor” dhe një “hakmarrje politike ndaj qytetarëve”.

Berisha u ndal te “shkrirja” e disa njësive vendore dhe bashkive në të gjithë vendin, duke theksuar se ky vendim po u heq qytetarëve shërbimet bazë dhe investimet, të cilat sipas tij kanë rënë në kuotën e zeros.

Ai gjithashtu bëri thirrje për kreun e qeverisë, Edi Rama që të japë dorëheqjen duke e cilësuar si armiku i vërtetë i shqiptarëve.

Fjala e Berishës:

Po shuani bashkitë me një votë, po i hiqni shqiptarëve shërbimet dhe investimet! Kjo është hakmarrje politike ndaj qytetarëve

Midis njeriut të qytetëruar dhe njeriut që ka humbur vetëdijen njerëzore, njeriut që para virtytit, përgjegjësisë, zgjedh vesin dhe verbërinë, njeriut që bëhet vektor i së keqes, ju keni zgjedhur këtë të dytën.

Vini këtu në parlament dhe në një akt armiqësor të hapur, të hapur, pohoni se nuk keni detyrim të dëgjoni zërin e qytetarëve për fatin e tyre.  Pohoni se duke u larguar shërbimet dhe qeverisjen, i lumturoni ata. Pohoni se po kryeni një vepër madhore në interes të shqiptarëve.

Çfarë tregoni ju? Ju tregoni së pari se jeni në verbëri të plotë, ju nuk njihni realitetin. Po në qoftë se ju prekni sadopak nga realiteti i këtij vendi, konstatoni se në të gjitha zonat ku hiqen komunat dhe bashkitë, investimet zbritën në zero.

Ju harroni, s’ju intereson sigurisht, se komunat dhe bashkitë apo njësitë e qeverisjes vendore janë njësi zhvillimi, investimi jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ju i hoqët ato dhe po të dilni jashtë unazës së Tiranës, investimet janë afërsisht zero.

Shkoni në Shëngjergj, shihni, asnjë qindarkë. Dhe mbrapa Shëngjergjit është një nga masivet më të fuqishme, më të bukura malore të vendit, që janë masivi i Bizës, Martaneshit, i maleve të Labinotit, të Elbasanit e të tjerë.

Asnjë qindarkë!  Shkoni në Krrabë, asnjë qindarkë!  Shkoni kudo që hiqen bashkitë dhe komunat, investimet ranë në zero.

T’i heqim edhe këto, jashtë çdo lloj kriteri, jashtë çdo lloj standarti. Po Libohova ka qenë në shekuj një qendër që ka bërë dritë, një qendër që ka mahnitur edhe Lord Bajronin me artin e saj kuzhinor. Ka mahnitur me organizimin e saj… po po, ashtu për ty është kjo.

Ju i bini kryq Libohovës, Memaliajt, që ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në mirëqenien e shqiptarëve, qytet minator, e shuani. Pasi e rrafshuat, Këlcyrën me potenciale të jashtëzakonshme të turizmit malor e bëni të paqenë. Dimali, një bashki e njerëzve punëtorë, po të shkoni aty në zonat e kësaj bashkie ju do gjeni sera, aq sa do u duken në perëndimin e diellit sikur je në një det. Çfarë jeni ju, mor? Pse jeni kaq të ligj, që u bini vizë me një votë të turpshme këtu.

Poliçani, një komunitet i organizuar, një komunitet që në kushtet më të vështira e rindërtoi jetën e vet. Dhe që padiskutim ka një potencial shumë të madh turistik, ka një potencial të gjithanshëm dhe ju e asgjësoni.

Asgjësoni Rrogozhinën, një nga bashkitë me potencial turistik më të madh, ju them unë juve, Spilleja është një xhevahir i bregut shqiptar, në çdo aspekt. Rrogozhina fillon këtu në Tiranë, te kodrat e Tiranës dhe përfundon në kufi me Divjakën. Vizë!  Çfarë jeni ju, kaq cinikë mor? Ju nuk keni asnjë lloj interesi!

Shuani Klosin, një bashki me emër dhe potencial shumë të madh. Potencial të madh mineral, rezerva minerare botërore, potenciale të mëdha ujore, potenciale të mëdha të gjithanshme. S’ekziston. Sepse ai, ku është ky Malaj, ku është ky? Sepse ai ka interesat mafioze të tij, bashkë me Edi Ramën, të pandara. Po po, po po. I bini Fushë-Arrëzit. A e dini ju që nga Aprripa në Pukë është një distancë sa nga Tirana në Vlorë, pothuaj.

Distanca në kilometra nuk është kaq, po po të kesh parasysh rrjetin rrugor është absolutisht kaq. Si e bëni ju këtë? Aq më tepër kur këtu ka disa tendenca, Edi Rama u përpoq t’i përçajë komunitetin në Pukë, po pukjanët janë të mençur, janë punëtorë. Bëri gjithçka t’i kundërvejë myslimanët kundër katolikëve. Po po! Për të shtuar, mos mbaj atë zhvilloje këtu. Për të shtuar me turp siç është, se as myslimanët, as katolikët e mbështetësit të Fushë-Arrëzit nuk e votuan.

Kjo është hakmarrja, që ta dini domethënë. Ja pse hakmerret me Fushë-Arrëzin, i cili ka qenë epiqendër në të gjitha kohërat.

Po po, ka qenë epiqendër e rrethit, qendër në grup. Pra ju, i merrni të paqena këto dhe keni vënë një të papërgjegjshëm. Ku iku ai mor? Ku iku ai mafioz, i lidhur me Milorancin. Se unë s’ja përmenda parë. A e dini ç’është Andrea Miloranci? Andrea Miloranci është mafiozi i lidhur me Ndranghetën që bashkëkryesonte Eco Tiranën me këtë reformatorin tuaj, mafiozin tuaj. Ka vetëm një kërkesë, Edi Rama të japë dorëheqjen këtu.

Të japë dorëheqjen, sepse faktohet si një armik i vërtetë i shqiptarëve. Të japë dorëheqjen, se i nxin fytyrën kombit!

🔗 Shpërndaje
15:22

9 protestues të lënduar në QSUT, si paraqitet gjendja e tyre

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me gjendjen e protestuesve të cilët kanë marrë dëmtime gjatë protestës para Kuvendit. Mësohet e 9 persona janë paraqitur në ambientet e QSUT.

Pas trajtimit përkatësisht në shërbimin e Okulistikës dhe atë të Djegie Plastikës të gjithë qytetarët janë larguar me mjekim ambulator. Më tej bëhet me dije se asnjë prej tyre nuk është në gjendje kritike.

Gjithashtu bëhet me dije se një i moshuar është dëmtuar nga hekurat e vendosur rreth ambienteve të Kuvendit. Fatmirësisht edhe ai është jashtë rrezikut për jetën.

🔗 Shpërndaje
15:07

Protesta para Kuvendit, shoqërohen 8 persona në komisariatin Nr.1

Këtë të enjte 8 persona janë të shoqëruar nga policia në komisariatin Nr.1 pas incidenteve të regjistruara në protestën e sotme para Kuvendit.

Herë pas herë ka pasur përplasje dhe shtyrje me policinë nga ana e protestuesve të PD dhe deputetëve demokratë, ndërsa efektivët kanë reaguar duke përdorur spraj me piper në drejtim të tyre.

Ndërkohë edhe nga krahu tjetër i hyrjes së Parlamentit, ku gjendet një qendër tregtare ka pasur përplasje të herëpashershme me policinë në drejtim të të cilës janë hedhur tymuese.

🔗 Shpërndaje
14:33

Reforma territoriale, Mazniku: Janë zhvilluar 121 dëgjesa, bashkimi mbështetet në lidhjet historike

Ish-bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, mbrojti në Kuvend hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke argumentuar se bashkimi i tyre do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.

Mazniku i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në diskutimet për kompetencat dhe financimin e bashkive pas ndarjes së re territoriale.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se reforma territoriale është hartuar pa konsultim me qytetarët, Mazniku tha se bashkimi i bashkive është mbështetur në lidhjet historike, kulturore dhe sociale mes komuniteteve.

Sipas tij, janë zhvilluar 121 dëgjesa publike, ndërsa projektligji u është dërguar për mendim 61 këshillave bashkiakë.

“Janë njerëz që kanë histori bashkëpunimi, lidhje kulturore dhe sociale. Sa i përket konsultimit, komisioni bëri 11 dëgjesa në territor, 23 mbledhje ku u dëgjuan kryetarët e bashkive. Të gjitha ato opinione janë material parlamentar, janë produkt që është dokument parlamentar dhe ka një vlerë sot dhe në të ardhmen për të analizuar se si mund të ecet përpara”, deklaroi ai.

Mazniku tha se projektligji, së bashku me relacionin dhe arsyetimin, iu dërgua 61 këshillave bashkiakë, të cilëve iu dha kohë për të dhënë mendimin e tyre dhe për të zhvilluar dëgjesa.

“Ligji 139, neni 90, pika 3, thotë se pala propozuese e ndryshimit territorial, kur ka një propozim specifik, i kërkon mendim kryetarëve dhe këshilltarëve dhe s’ka mënyrë tjetër. E vetmja mënyrë ishte duke depozituar një ligj bashkë me relacionin, arsyetimin. Iu çua 61 këshillave bashkiakë, iu dha koha të jepnin mendimin dhe të bënin dëgjesat. Janë organizuar 121 dëgjesa. Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur, administruar dhe i janë dhënë Komisionit të Ligjeve”, tha Mazniku.

Ish-bashkëkryetari i PS-së për reformën territoriale hodhi poshtë akuzat e opozitës se ndryshimi i hartës bëhet për interesa elektorale të Partisë Socialiste.

Mazniku deklaroi se PS-ja ka fituar 55 nga 61 bashki dhe se, sipas tij, do t’i fitonte sërish edhe pa reformën.

“PS nuk ka interesa elektorale në këtë çështje. PS ka fituar 55 bashki nga 61 dhe i fiton sërish, me ose pa reformë. PS ka vetëm një interes: si u shërbehet qytetarëve, si përmirësohen rrugët, uji, si pastrohet më mirë qyteti, si i bëjmë bashkitë më të forta që të shkojnë në BE, që të marrin më shumë financime”, deklaroi ai.

Mazniku kritikoi gjithashtu propozimin e PD-së për 100 bashki, duke argumentuar se një ndarje e tillë do të dobësonte pushtetin vendor dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

“Interesi i vetëm real elektoral është ai që sollët ju: duam 100 bashki. Të thuash këtu, si lojë kungulleshkash, t’i bëjmë 100 se është numër i bukur, i rrumbullakët. Pse i duam 100 bashki? Që të marrim më shumë në zgjedhje”, u shpreh Mazniku.

🔗 Shpërndaje
13:06

Reforma territoriale, Tabaku thirrje deputetëve të PS-së: Mos e votoni, qytetarët nuk janë dëgjuar

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi në Kuvend reformën territoriale, duke akuzuar shumicën se po e miraton atë pa dëgjuar qytetarët dhe komunitetet që preken prej ndryshimeve.

Gjatë debatit për procedurën në nisje të seancës plenare, Tabaku u bëri thirrje deputetëve socialistë të mos votojnë reformën, për të cilën tha se nuk është një reformë territoriale, por një reformë “politike, elektorale dhe ekonomike”.

“Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar”, deklaroi Tabaku, duke theksuar se sipas saj nuk janë dëgjuar as këshillat bashkiakë, përfshirë edhe ata me shumicë socialiste që kanë votuar kundër reformës.

Sipas deputetes së PD-së, reforma synon përqendrimin e pushtetit ekonomik dhe elektoral, ndërsa akuzoi shumicën se ndryshimet nuk lidhen me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Në përfundim, deputetja demokrate e krahasoi votimin e reformës territoriale me vendime të mëparshme të Kuvendit, përfshirë ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura dhe vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Këtyre do t’u shtohet njëkohësisht lista e atyre që do të shkrijnë sot, me një të rënë të lapsit, 50 bashki, pa dëgjuar zërin e qytetarëve”, deklaroi Tabaku.

Ajo u bëri thirrje deputetëve socialistë të mos e votojnë kët reformë.

🔗 Shpërndaje
12:54

Deputetët e PD përplasen me policinë, hidhet spraj lotjellës

Disa deputetë të Partisë Demokratike mes të cilëve Klevis Balliu u përplasën me policinë në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit ku efektivët kanë krijuar një kordon për të mos lejuar kalimin drejt Parlamentit.

Herë pas herë ka pasur përplasje dhe shtyrje me policinë nga ana e protestuesve të PD dhe deputetëve demokratë, ndërsa efektivët kanë reaguar duke përdorur spraj me piper në drejtim të tyre.

Ndërkohë edhe nga krahu tjetër i hyrjes së Parlamentit, ku gjendet një qendër tregtare ka pasur përplasje të herëpashershme me policinë në drejtim të të cilës janë hedhur tymuese.

🔗 Shpërndaje
12:45

Klosi sfidon opozitën: Do të merrni bashki më pak se gishtat e dorës

Deputeti socialist Blendi Klosi deklaroi në seancën plenare të së enjtes se reforma administrativo-territoriale do të votohet, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të lejojë një proces të rregullt parlamentar.

Klosi sfidoi deputetët e Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore, duke deklaruar se opozita do të mund të fitojë më pak se pesë bashki me hartën e re.

“Qytetarët na kanë votuar, masivisht pozitivisht pas asaj që kemi votuar në 2015, sot vazhdojmë marrim vota më shumë. Kjo tregon se këto 61 bashkitë nga 400 që kanë qenë e kanë pranuar me votë… Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë se nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm do t’i fitojmë”, u shpreh Klosi.

🔗 Shpërndaje
12:29

Deputeti Sinaj ndryshoi qëndrim për “Territorialen”, Zhupa: A ke vullnet t’i dalësh kundër vlonjatëve?

Deputetja demokrate Ina Zhupa iu drejtua me tone të ashpra deputetit socialist Vullnet Sinaj, lidhur me qëndrimin e tij për projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale.

Zhupa e akuzoi se nuk po mban fjalën që u ka dhënë qytetarëve dhe se ka marrë urdhër nga kryeministri Edi Rama për të votuar pro reformës, për të cilën nevojiten të paktën 84 vota.

Deputetja demokrate i kujtoi Sinës rastin e Selenicës, një prej bashkive në Qarkun e Vlorës që pritet të “shkrihet”, ndërsa tha se mazhoranca po injoron konsultimin me qytetarët.

“Po pyes sot si deputete e qarkut të Vlorës, a ke vullnet Vullnet Sinaj t’i qëndrosh asaj që ke thënë në 3 gusht, se Selenica nuk duhet të shkrihet në një bashki. A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe t’i qëndrosh fjalës që u ke dhënë qytetarëve? Sot po bëni një reformë që nuk po pyesni 125 mijë qytetarë shqiptarë. Po injoroni 15 Këshilla Bashkiakë që ju kanë votuar kundër. Qytetarët jashtë po protestojnë se nuk janë pyetur siç e kërkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ju rrini këtu dhe keni marrë urdhrin që të qëndroni vetëm që të votoni ‘Ramaformën’”, tha Zhupa.

🔗 Shpërndaje
12:11

Të prekur nga gazi lotsjellës, qytetarët transportohen me ambulancë. Policia bën gati autobotin me ujë

Është tensionuar situata jashtë Parlamentit teksa mësohet se është hedhur spraj me piper në drejtim të protestuesve pasi kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë. Ndërkohë gazetari Eni Ferhati raporton se është bërë gati dhe autoboti me ujë i policisë për të shpërndarë turmën e qytetarëve.

Disa prej protestuesve janë shoqëruar për ndihmë të parë mjekësore në spital me autoambulanca pasi disa kanë patur probleme nga përdorimi i sprajit djegës nga ana e policisë. Por edhe disa prej efektivëve kanë pësuar lëndime të lehta pasi janë qëlluar me shishe dhe mjete të tjera.

Qytetarët shihen të vendosur të qëndrojnë dhe të protestojnë, ku mes tyre ka edhe pjesëmarrje të disa bashkive që preken nga reforma e re teritoriale e propozuar nga PS.

🔗 Shpërndaje
12:09

Debate të ashpra në Parlament, Bardhi-Peleshit: Je zar i Ramës. Ndërhyn Garda

Tensione janë shënuar gjatë seancën plenare pas kërkesës së PS që të nisin diskutimet për reformën territorialen dhe me pas interpelancat. Më herët kërkesa e PD për heqjen e interpelancave nga rendi ditës u refuzua.

Ndërsa kreu i Kuvendit Niko Peleshi iu drejtua deputetëve duke i thënë që të bëhen gati për të kaluar në votim, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, dhe kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi shkuan pranë foltores duke debatuar me Peleshin.

“Je zar i Ramës”, dëgjohet t’i thotë Bardhi kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Menjëherë pranë foltores u vendosë punonjësit e gardës për të qetësuar situatën.

Pas miratimit të kërkesës së PS kanë nisur diskutimet për territorialen.

Pas diskutimeve, në fund do të zhvillohen interpelancat me tre ministrat Ervin Demo  Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj.

Parashikohet një seancë e gjatë parlamentare pasi janë regjistruar thuajse të gjithë deputetët për të folur për hartën e re territoriale.

🔗 Shpërndaje
11:55

Kryebashkiakët e Fushë-Arrëzit dhe Memaliajt në protestë kundër reformës territoriale: Sjell vetëm shpopullim

“300 mijë shqiptarë do preken”, kryebashkiakët e Fushë-Arrëzit dhe Memaliajt në protestë kundër reformës territoriale

Kryetarët e bashkive të Fushë-Arrëzit dhe Memaliajt, Hilë Curri dhe Albert Malaj, janë bashkuar me protestuesit që kundërshtojnë reformën e re territoriale.

Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, tha se nga reforma dhe shkrirja e 15 bashkive preken rreth 300 mijë banorë.

“300 mijë banorë preken nga ajo reformë. Si shpëtuan Konispoli dhe Delvina? Kjo është një reformë që Arbjan Maznikun do ta ndjekë historia”, u shpreh Curri.

“Kjo nuk sjell asnjë lloj zhvillimi përveçse shpopullim, Ju bëj thirrje të mos e votojnë këtë reformë”, u shpreh kryebashkiaku i Memaliajt.

Në protestë është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja. Sipas reformës së propozuar, Rrogozhina pritet të bashkohet me Kavajën.

🔗 Shpërndaje
11:42

Vijojnë përplasjet në protestë, digjen koshat e mbeturinave, mjete piroteknike drejt policisë

Protesta që po mbahet pranë Parlamentit është tensionuar sërish rreth mesditës.

Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike drejt forcave të policisë. Ndërkohë disa koshave të mbeturinave është tentuar t’u vihet flaka.

Më herët protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur nga policia ndërsa kjo e fundit u përgjigj me spraj lotsjellës për t’i shpërndarë.

🔗 Shpërndaje
11:42

Spiropali debat me Bardhin në Kuvend: Ju nuk keni parti, keni vetëm një njeri

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është përfshirë në një debat në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë diskutimeve për Reformën Territoriale.

Në fjalën e saj, Spiropali iu përgjigj kritikave të opozitës, duke deklaruar se nuk duhet të ndërthuren çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, duke paralajmëruar se ato do të marrin zgjidhje së shpejti.

“Nuk mund të përdoret këtu çdo platformë për të folur për të njëjtën çështje. I qëndroj një më një gjërave që kam thënë, në platformë dhe pa platformë, e kam prezantuar në Asamblenë e PS-së.

Ashtu sikur ju nuk thoni dot një fjalë në Kryesinë e partisë tuaj, as në mbledhje, sepse ju nuk keni një parti, ju keni vetëm një njeri. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit dhe kontrollit të pushtetit, nga pushteti lokal te ai qendror. Ju jeni mishërimi i personalizimit të pushtetit deri në katandisje. I kam dalë kundër kësaj kulture. Mos i lidh çështjet që janë të palidhura, se të gjitha do të zgjidhen shumë shpejt”, tha ajo.

Gjithashtu ditën e sotme, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe ka votuar pro reformës, dhe mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë Erion Braçe gjatë votimit në Kuvend.

Ndërkohë, jashtë Parlamentit janë shënuar tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Policia ka marrë masa të shtuara sigurie në zonën përreth Kuvendit, ndërsa barriera metalike janë vendosur përpara godinës për të kufizuar afrimin e protestuesve. Forca të shumta policie ndodhen gjithashtu në terren.

🔗 Shpërndaje
11:30

Berisha: Të shkojmë në referendum për Reformën Territoriale dhe të miratojmë variantin që votojnë

Kreu i PD, Sali Berisha propozoi mbajtjen e një referendumi për reformën territoriale, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që vendosin.

Në fjalën e mbajtur në Parlament, Berisha kërkoi nga deputetët që të hedhin poshtë pr.lgjin për reformën territoriale, të shkohet në referendum me dy variante dhe të jenë qytetarët që zgjedhin cilin prej tyre duan.

“Hidheni poshtë këtë projekt, për të cilin nuk ka qytetar i çdo bindje politike që voton.

Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë sot në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që mbi të gjitha ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë. Ka të bëjë me shërbimet ndaj tyre.

Ka të bëjë me të ardhmen dhe zhvillimin e komuniteteve kudo që janë.

Hidheni poshtë dhe të vendosim të shkojmë në referendum me dy variantet, cilin variant të votojnë qytetarët, atë variant të vijmë dhe ta sanksionojmë këtu.

Kjo është e vetmja rrugë, po ju keni armiqësi me zgjedhësit, keni armiqësi me qytetarët.

Ju po i plaçkisni ata në mënyrën më të tmerrshme dhe nuk çani kokën se ekzistojnë.

Ju i burgosni ata, i përzini nga Shqipëria, kurse vetë si shushunja të vërteta fryheni çdo ditë, çdo muaj e më shumë”, tha Berisha.

🔗 Shpërndaje
11:24

Balla: Reforma Territoriale votohet sot, 46 bashkive të reja u garantojmë shërbime më të mira publike

Gjatë seancës plenare në Kuvend sot, ku po diskutohet reforma territoriale, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbrojtur propozimin për ndryshimet në ndarjen territoriale.

Ai ka deklaruar se opozita ka kohë deri në javën e ardhshme për të paraqitur propozimet e saj.

“Kjo sot do të votohet, deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Pas gati 50 ditësh do diskutojmë një propozim tjetër të bërë nga ju. Kjo sot do të votohet.

Iu kujtoj që në fund të nëntorit mbaron afati i Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore për të cilën kemi ende kohë, dy bashkëkryetarët meritojnë respketin tonë për punën e bërë”, tha Balla.

Ndërkaq, Balla ka argumentuar se reforma synon përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe transferimin e kompetencave te bashkitë e reja.

“Sa i përket reformës që votojmë sot, është bërë përmes një pune të shkëlqyer, ku janë konsultuar bashkitë. Është një reformë që ka vetëm një emër, dallimi mes nesh dhe jush është që ju interesoheni për kryetarin e bashkisë, ne për qytetarin e bashkisë.

Ne i garantojmë qytetarëve të 46 bashkive të reja për shërbime më të mira publike, dhe jemi gati ti transferojmë bashkive të reja kompetenca të cilat sot një pjesë të atyre bashkive nuk i kryejnë disa funksione.

Ju keni hall karrigesh, ne kemi hall shërbimesh. Votojmë kundër kërkesës së depozituar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD. Sa i përket kërkesës tjetër për të hequr interpelancat është qesharake. Se janë këta që bërtasin që duan interpelanca, sot nuk duan”, tha Taulant Balla.

🔗 Shpërndaje
11:21

Bardhi, thirrje policisë nga Kuvendi: Ndaloni dhunën ndaj qytetarëve që po protestojnë

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi i ka bërë thirrje policisë të ndalë dhunën ndaj protestuesve dhe të garantohet e drejta e tyre për të protestuar.

Gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, Bardhi e cilësoi të papranueshme që Kuvendi i Shqipërisë të rrethohet me tela metalikë për të mos lejuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.

“Nga kjo foltore, dua t’i bëj thirrje Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë aktet e dhunës ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë kësaj godine.

Është e papranueshme që Policia e Shtetit të shërbejë si polici politike për të shuar zërin e qytetarëve. Është e papranueshme që qytetarët të privohen nga e drejta për të protestuar. Është e papranueshme që Kuvendi i Shqipërisë të rrethohet me tela metalikë për të mos lejuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.

Le të ndalin menjëherë shkeljen e ligjit dhe dhunën ndaj qytetarëve dhe t’u garantojnë atyre të drejtën për protestë paqësore.

Ndërkohë, ju, nga ky krah, duhet të dëgjoni zërin e atyre qytetarëve që protestojnë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë qytetarë nga zonat tuaja elektorale, që ju kërkojnë të mos votoni hartën e shpopullimit të vendit.

Do të ishte në nderin tuaj, zoti Kryetar i Kuvendit, t’i bënit thirrje Policisë së Shtetit të lejojë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar”, tha Bardhi mes të tjerave.

🔗 Shpërndaje
11:07

Kuvendi rrëzon kërkesën e PD-së për interpelancë urgjente me Ramën

Kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama është rrëzuar në Kuvend me 76 vota kundër.

Kërkesa e opozitës u hodh në votim në seancën plenare, por nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare.

🔗 Shpërndaje
11:02

Koçeku: Deputetët e PS-së që kundërshtojnë reformën territoriale, e kanë kryer me dinjitet detyrën

Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me reformën territoriale, duke përshëndetur qëndrimin e shprehur disa ditë më parë nga deputetët socialistë Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe, të cilët gjatë mbledhjes së grupit parlamentar dolën kundër kësaj reforme.

Përmes një reagimi, Koçeku u shpreh se deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës territoriale nuk duhen konsideruar si “rebelë”, ndërsa kritikoi Partinë Socialiste për mënyrën se si, sipas saj, ka trajtuar komunitetet periferike.

“Deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës territoriale duhet ta dinë se nuk janë ata rebelët. Partia e tyne asht rebele, që i ka kthy shpinën qytetarëve. Nëse edhe sot të njëjtët deputetë e kundështojnë projektligjin e territoriales, e kanë kry me dinjitet detyrën e vet. Komunitetet periferike janë komunitete në nevojë. Mos i braktisni ato, siç i ka braktisë partia juej!!”, shkruan Koçeku.

🔗 Shpërndaje
10:59

Përplasje të forta te Parlamenti, protestuesit heqin gardhin metalik, hidhen tymuese drejt policisë

Të tjera përplasje kanë ndodhur pranë Parlamentit. Qytetarët kanë hequr gardhin metalik, si dhe kanë hedhur tymuese. Sipas gazetarit Eni Ferhati janë përdorur gjithashtu edhe mjete piroteknike dhe sërish hedhje të gazit lotsjellës.

Kordoni ndarës me protestuesve dhe policisë tashmë është hequr duke e bërë më të vështirë për të menaxhuar situatën. Lidhur me këtë, Policia ka shtuar forcat e saj duke zëvendësuar gardhin me Forcat Shqiponja dhe ato të FNSH-së.

Qytetarët vazhdojnë thirrjet e tyre për të përparuar drejt hyrjes së Parlamentit.

🔗 Shpërndaje
10:53

Rama debaton me Braçen! Sinaj ndryshon qëndrim, mazhoranca drejt 84 votave

Deputeti socialist Erion Braçe ka konfirmuar qëndrimin e tij kundër reformës së re territoriale, ndërsa mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar me debate mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas burimeve të Euronews Albania, Rama ka debatuar për rreth 45 minuta me Braçen gjatë mbledhjes së zhvilluar mëngjesin e kësaj të enjteje, në përpjekje për të unifikuar qëndrimin e socialistëve përpara votimit në Kuvend.

Ndërkohë, deputeti Vullnet Sinaj, i cili së bashku me Braçen kishte votuar kundër draftit në mbledhjen e mëparshme të grupit parlamentar, ka ndryshuar qëndrim. Sinaj ka votuar këtë herë pro hartës së re territoriale, sipas burimeve të Euronews Albania.

Propozimi i mazhorancës parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore.

Braçe ka argumentuar më herët se reforma duhet të përqendrohet te përmirësimi i qeverisjes vendore, decentralizimi dhe autonomia e bashkive, jo thjesht te ndryshimi i hartës administrative

Me ndryshimin e qëndrimit të Sinajt, mazhoranca duket se ka siguruar mbështetjen e nevojshme prej 84 votash për miratimin e reformës, nëse deputetët që kanë shprehur mbështetje votojnë në të njëjtën mënyrë edhe në seancën plenare.

Votimi përfundimtar pritet të zhvillohet sot, më 8 tetor, ndërsa opozita proteston kundër reformës.

🔗 Shpërndaje
10:18

Tensione në protestën pranë Parlamentit, policia hedh spraj lotsjellës drejt qytetarëve

Është tensionuar protesta pranë Parlamentit mes protestuesve dhe policisë. Efektivët e vendosur pranë xhamisë për të mos lejuar kalimin e protestuesve drejt parlamentit, kanë hedhur spraj lotsjellës në drejtim të qytetarëve.

Protestuesit janë përpjekur të çajnë kordonin e policisë dhe gardhin metali të vendosur pranë xhamisë, me qëllim për të shkuar para Parlamentit ku po zhvillohet seanca plenare për reformën e re territoriale.

Policia nuk ka lejuar protestuesit të përparojnë drejt Parlamentit duke përfunduar në përplasje dhe shtyrje të dhunshme mes të dyja palëve.

🔗 Shpërndaje
10:14

Tedi Blushi: Sot është ditë historike, çdo deputet do të përballet me votën e tij

Në nisje të seancës plenare për votimin e Reformës Territoriale, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e ka cilësuar këtë seancë si një moment vendimtar.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mos votojnë projektin.

Sipas tij, seanca e sotme ka vetëm një qëllim: ndalimin e miratimit të njëanshëm të asaj që ai e cilëson si projekt për “shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë”.

Blushi ka kritikuar edhe masat e sigurisë pranë Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet të krijojë një “normalitet punimesh” ndërsa institucioni është i rrethuar me forca policore.

Ai u bëri thirrje deputetëve që të mos bëhen pjesë e asaj që e cilësoi si “farsë” dhe të përfaqësojnë qytetarët që, sipas tij, janë ngritur në protestë kundër reformës.

🔗 Shpërndaje
10:13

Vullnet Sinaj ndryshon qëndrim, bashkohet me grupin për “Territorialen”

Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me reformën e re territoriale.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Sinaj ka votuar pro hartës së re territoriale gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila u zhvillua mëngjesin e sotëm në sallën e seancave plenare.

Sinaj kishte votuar më herët kundër draftit brenda grupit parlamentar, duke shprehur rezerva për propozimin që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 bashkive.

Ndërkohë, sa i përket deputetit tjetër socialist, Erion Braçe, të njëjtat burime bëjnë me dije se ai nuk ka votuar as pro dhe as kundër draftit gjatë mbledhjes së sotme.

Votimi i sotëm vjen pas qëndrimit të mëparshëm të të dy deputetëve, të cilët në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar në fillim të javës kishin votuar kundër hartës së re territoriale

🔗 Shpërndaje
10:08

Berisha para Parlamentit: Do bëjmë çmos që reforma të mos kalojë, protesta pa simbole partiake

Sali Berisha ka bërë një prononcim për mediat para Parlamentit ku pritet të nis dhe seanca plenare me 4 interpelanca. Në thelb pritet të diskutohet reforma e re territoriale.

Pikërish lidhur me këtë, Berisha shprehet bindjen se partia e tij do votojë kundër shkrirjes së bashkive.

“Edi Rama ka bllookuar sallën e Parlamentit. Deputetët e tij duhet të ndjehen përgjegjës para aktit që ai u propozon të kryejnë.

Do bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë. Asnjë deputet i opozitës nuk e voton”, tha Berisha.

I pyetur nëse do i bashkohet protestës, Berisha thekson se ajo u përket qytetarëve.

“Është protestë rinore qytetare. Kanë ardhur njerëz nga e gjithë Shqipëria, të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadër të protestës qytetare pa simbole partiake”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

14 masa sigurie në Fier, dyshohen për këmbim valutor pa licencë! Sekuestrohen miliona lekë dhe valuta të huaja

Prokuroria e Fierit ka kërkuar vendosjen e masave të sigurimit për 14 persona, të dyshuar se ushtronin aktivitet të këmbimit valutor pa licencë nga Banka...
18:16 | 08/10/2026

OBSH harton udhërrëfyesin global për trajtimin e hipertensionit te gratë shtatzëna

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se çrregullimet hipertensive që përfshijnë pre-eklampsinë dhe eklampsinë, përbëjnë rreth 16 % të vdekjeve amtare në botë....
17:54 | 08/10/2026

Manifaktura në tkurrje, humbasin 25 mijë vende pune, mbyllen 150 fasoneri

Fasoneria shqiptare po përballet me vështirësi të thelluara. Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur industria e manifakturës, sot numërohen vetëm rreth 40 mijë,...
17:50 | 08/10/2026