Shembet pjesërisht një pallat shtatëkatësh në Stamboll, tetë të plagosur nxirren nga ndërtesa

Një pallat shtatëkatësh në lagjen Maltepe të Stambollit u shemb pjesërisht mëngjesin e së enjtes. Shembja shkaktoi panik dhe la disa persona të bllokuar nën rrënoja.

Incidenti ndodhi rreth orës 05:40 në rrugën Doğu, në lagjen Sevizli. Për shkaqe që ende nuk dihen, u shembën tre katet e poshtme të ndërtesës. Katet e sipërme mbetën në këmbë, por struktura u vlerësua e paqëndrueshme, me rrezik për shembje të mëtejshme.

Të lidhura

None found

Në vendngjarje shkuan menjëherë ekipe të Departamentit të Zjarrfikësve, AFAD-it, policisë dhe shërbimeve shëndetësore. Ato nisën kërkimet për personat që dyshohej se kishin mbetur nën rrënoja, ndërsa banorët në katet e sipërme u ndihmuan të dilnin nga ndërtesa.

Sipas të dhënave të publikuara, pallati kishte 12 apartamente dhe në të ishin të regjistruar gjithsej 33 banorë.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, njoftoi fillimisht se pesë persona ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe se shtatë të tjerë dyshohej të ishin ende të bllokuar. Ekipet kishin arritur të komunikonin me katër prej tyre dhe po vazhdonin përpjekjet për të gjetur të tjerët.

Informacionet më të fundit të mediave turke bëjnë të ditur se numri i personave të nxjerrë të plagosur nga ndërtesa ka arritur në tetë. Ndërkohë, dhjetë persona nga katet e sipërme janë evakuuar të sigurt.

Banorë të zonës thanë se shembja u shoqërua me një zhurmë të fortë dhe lëkundje. “U zgjuam sikur të kishte rënë një tërmet”, u shpreh njëri prej tyre.

Pas shembjes, zonën e mbuloi një re e madhe pluhuri. Pjesa e ndërtesës që mbeti në këmbë u anua, duke shtuar shqetësimin për një shembje tjetër. Për këtë arsye, hapësira përreth është rrethuar dhe ekipet e shpëtimit po veprojnë me kujdes.

Autoritetet kanë nisur hetime teknike, administrative dhe gjyqësore për të përcaktuar shkakun e shembjes së tre kateve të para. Sipas raportimeve nga Turqia, ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 1987 dhe në katin përdhes funksiononin disa dyqane.

Kërkim-shpëtimi vazhdon, ndërsa autoritetet po ndjekin nga afër gjendjen e pjesës së mbetur të pallatit.


Shtuar më 8.10.2026 09:21

Quantcast