Bota Botë e Çuditshme

Fshati magjik ku shumica e grave festojnë 100 e më shumë vjeçe!

Një fshat i vogël malor në Sardenjë mund të jetë një “zonë blu” e re e jetëgjatësisë, pasi një studim ka zbuluar një përqendrim të pazakontë të grave që arrijnë moshën 100 vjeç.

Bëhet fjalë për Bolotanën, në zonën e Margines, në Sardenjën qendrore, rreth 110 kilometra larg zonës së njohur të jetëgjatësisë në ishull. Studiuesit nga Universiteti i Sasarit dhe Universiteti i Alabamës në Birmingham kanë zbuluar se në këtë fshat jetëgjatësia e grave është veçanërisht e lartë.

Sardenja u bë e njohur për jetëgjatësinë në vitin 1999, kur disa fshatra të largëta në zonat qendrore dhe lindore të ishullit u përfshinë në pesë “zonat blu” të botës, territore ku jetojnë një numër i pazakontë personash mbi 100 vjeç.

Sipas studimit, të publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Aging”, 13.8% e grave në Bolotana që arrijnë moshën 70 vjeç jetojnë deri në 100 vjeç. Kjo e rendit fshatin të dytin në botë për jetëgjatësinë e grave, pas Hong Kongut. Në Itali, kjo shifër është vetëm 3.5%.

Studiuesit analizuan të dhënat e personave të lindur në Bolotana nga viti 1900 deri në 1925 dhe zbuluan se 38 prej tyre kishin jetuar më shumë se 100 vjeç. Sipas tyre, niveli i jetëgjatësisë në fshat është 57% më i lartë se mesatarja kombëtare italiane.

Kryetari i Bashkisë së Bolotanës, Francesco Manconi, e lidh jetëgjatësinë me një kombinim faktorësh. Ai përmendi ushqimin e freskët, natyrën e paprekur përreth fshatit dhe aktivitetin fizik. Sipas tij, të moshuarit kanë pasur gjithmonë një mënyrë jetese aktive dhe kanë ecur shumë, në disa raste deri në 20 kilometra në ditë, veçanërisht gratë.

Në Bolotana nuk mungojnë as ëmbëlsirat tradicionale. Manconi tha se banorët nuk kanë hequr dorë nga seada, një ëmbëlsirë tradicionale e mbushur me djathë apo mustazzolus, një biskotë me erëza që konsumohet shpesh në mëngjes.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.