Pas vdekjes së 16-vjeçarit shqiptar, Kavala mbyll 11 fusha futbolli
Bashkia e Kavalës në Greqi ka marrë një vendim të jashtëzakonshëm pas vdekjes tragjike të 16-vjeçarit shqiptar Asllan Gjana, i njohur si “Ani”, në një fushë futbolli në Thasos. Autoritetet lokale kanë vendosur të mbyllin pa afat 11 fusha futbolli në zonë, ndërsa lejet për zhvillimin e stërvitjeve dhe aktiviteteve sportive janë pezulluar.
Vendimi është marrë pak ditë pas aksidentit fatal që i mori jetën futbollistit të ri shqiptar gjatë një ndeshjeje në fushën e Panagias, në Thasos. Sipas autoriteteve, të gjitha fushat do t’i nënshtrohen një rikontrolli të menjëhershëm të kushteve të sigurisë dhe infrastrukturës, me fokus të veçantë te distanca mes vijave të fushës dhe mureve, tribunave apo objekteve të tjera të palëvizshme.
Vendimi mban firmën e nënkryetarit të Bashkisë së Kavalës për Kulturën, Sportin dhe Rininë, Christos Bosbotis. Autoritetet lokale kërkojnë të verifikojnë nëse fushat plotësojnë standardet e përcaktuara nga Federata Greke e Futbollit dhe nëse kushtet e sigurisë janë në përputhje me kërkesat për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve të fëmijëve.
Lejet e përkohshme, të cilat ishin dhënë vetëm gjatë gjysmës së dytë të shtatorit, janë pezulluar tashmë deri në përfundimin e kontrolleve dhe, nëse është e nevojshme, kryerjen e ndërhyrjeve infrastrukturore.bNë rast se gjatë inspektimeve konstatohen shkelje apo devijime nga standardet, aktivitetet sportive në këto ambiente do të mund të zhvillohen vetëm pas marrjes së miratimit përkatës nga Federata Greke e Futbollit. Vendimi u është komunikuar edhe autoriteteve të policisë dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Sportit.
Si ndodhi tragjedia?
Asllan Gjana humbi jetën pas një aksidenti të rëndë gjatë një ndeshjeje futbolli në fushën e Panagias, në Thasos. 16-vjeçari po ndiqte topin në minutat e para të takimit ndaj Aiantas Panagias Prinou, kur doli jashtë vijës anësore të fushës. Në atë moment, ai u përplas me forcë me pjesën e pasme të kokës në një mur pranë tribunave.
I riu u dërgua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Kavalas, ku u shtrua në repartin e terapisë intensive me dëmtime shumë të rënda në kokë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 16-vjeçari ndërroi jetë dy ditë më vonë. Vdekja e tij shkaktoi tronditje të fortë në komunitetin lokal, ndërsa rasti ngriti pikëpyetje mbi kushtet e sigurisë në ambientet sportive ku stërviten dhe luajnë fëmijët.

