Demo: Bashkëpunim me Suedinë për një polici më pranë qytetarëve
Forcimi i policimit në komunitet dhe rritja e besimit mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit ishin në fokus të takimit të ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, me ambasadorin suedez në Shqipëri, Niklas Ström.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demo thekson:
“Një polici më pranë qytetarëve, që dëgjon shqetësimet e tyre dhe reagon me profesionalizëm. Ky është qëllimi që na bashkon në bashkëpunimin me Suedinë, të cilit i kushtuam vëmendje në takimin me ambasadorin suedez, Niklas Ström.
Mbështetja suedeze për policimin në komunitet ndihmon në forcimin e besimit mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit. Pjesë e rëndësishme e kësaj pune janë reagimi ndaj dhunës në familje, bashkëpunimi me shkollat dhe përfshirja e bashkive në adresimin e problemeve të sigurisë.
Mirënjohës për këtë mbështetje të vazhdueshme, që na ndihmon të ndërtojmë një shërbim policor më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre.”

