Rreth nëntë muaj pas finales së trazuar të Kupës së Kombeve të Afrikës 2025 në Rabat, përfaqësuesit e Marokut dhe Senegalit do të përballen sërish të enjten, këtë herë përpara Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, raporton Foot Mercato.
Seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe do të nisë në orën 9:30 të mëngjesit. Federatat e të dyja vendeve, së bashku me CAF-in, do të paraqesin argumentet e tyre para një trupi gjykues prej tre anëtarësh. Paneli kryesohet nga francezi Gerald Simon, ndërsa pjesë e tij janë edhe Luigi Fumagalli dhe Ulrich Haas.
Të lidhura
None found
Çështja lidhet me ngjarjet e 18 janarit, kur Senegali u largua nga fusha për rreth 16 minuta, pasi VAR-i i akordoi Marokut një penallti në kohën shtesë. Brahim Diaz nuk arriti ta shndërronte në gol atë 11-metërsh, ndërsa më vonë Pape Gueye realizoi golin që i dha Senegalit fitoren 1-0 në shtesë.
Në mars, megjithatë, Komisioni i Apelit i CAF-it vlerësoi se braktisja e përkohshme e lojës përbënte shkelje të rregullave të turneut. Si pasojë, Marokut iu dha fitorja 3-0 dhe titulli i kampionit. Senegali e kundërshtoi këtë vendim më 25 mars.
Pala marokene pritet të mbrojë qëndrimin se rregullorja nuk parashikon përjashtime, edhe në rastet kur një skuadër largohet nga fusha vetëm për një periudhë të shkurtër. Në krahun tjetër, Senegali do të mbështetet te kompetencat e arbitrit të përcaktuara në Rregullin 5 të IFAB-it.
Pas përfundimit të paraqitjes së argumenteve gjatë pasdites, paneli pritet të nisë diskutimet. Deri tani nuk është përcaktuar një datë për shpalljen e vendimit.





