Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste para nisjes së seancës plenare në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit, raportohet se është shoqëruar me debate të forta. Shkak është bërë votimi i pritshëm për Reformën Administrative Territoriale.
Mediat pranë selisë së Kuvendit raportojnë se deputeti socialist i Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili në Komisionin e Ligjeve ka votuar kundër shkrirjes së 15 bashkive, mes tyre dhe ajo e Selenicës nga është origjina e tij, ndërsa sot ka vendosur të votojë pro.
Bashkë me Erion Braçen, ai ishte i dyti që ende nuk kishte vendosur dhe mund t'i prishte punë Partisë Socialiste, sepse më herët e larguara Marjana Koçeku ka thënë se edhe ajo do të votojë kundër.
Tani që Vullnet Sinaj ka ndryshuar mendim, pritet se çfarë do të bëjë socialisti tjetër Erion Braçe. Deri këtë paradite, ai nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë, nëse do të votojë PRO apo Kundër shkrirjes së 15 bashkive.
Lideri demokrat Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve dhe gjithë qytetarëve të Tiranës, që t'i bashkohen protestës përpara Parlamentin, në orën 10:00, pasi socialistët pritet të kalojnë të vetëm Reformën Administrativo-Territoriale, e cila do të shkrijë 15 bashki.
Në nisje nga selia e PD, Sali Berisha është shprehur se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ka pasur debate të forta dhe kryeministri Edi Rama, sipas tij, u është drejtuar me libër shtëpie deputetëve, në mënyrë që ata të mbështesin reformën.
Për deputetët e vetë, lideri demokrat tha se nga opozita nuk do të ketë asnjë rrjedhje vote.
