Reforma Territoriale në fokus të zhvillimeve politike. Para nisjes së seancës plenare të Kuvendit u zhvillua një mbledhje e grupit socialist, me pjesëmarrjen e Edi Ramës. Pas kësaj mbledhjeje, kryeministri u largua nga parlamenti.
Drafti i maxhorancës që shkrin 15 bashki e që kundërshtohet nga qytetarë të tyre, si dhe opozita, nuk ka patur as pëlqimin e socialistëve Erion Braçe e Vullnet Sinaj.
Por, mbetet të shihet qëndrimi i tyre në seancë kur të kalohet në votim. Ndërkaq, në mbledhje mungoi Belinda Balluku. Kujtojmë se miratimi i hartës së re kërkon 84 vota.
Sali Berisha hyr në Kuvend rreth orës 10:00 dhe më herët shpërndau një mesazh në rrjetet sociale ku përsëriti thirrjen e tij për protestën tek Kuvendi.
Edi Rama sot ekzekuton 15 bashki për karrigen e tij! Ora 10:00, të gjithë bashkë në protestë para Parlamentit! Përtej çdo bindjeje politike, t’i dalim zot interesit qytetar, shkroi kreu demokrat.
Efektivë të shumtë dhe automjete policie kanë bllokuar hyrjen e parlamentit. Në terren gjendet një autobot, ndërsa efektivët janë pozicionuar nga Xhamia e Namazgjasë e deri te Ministria e Brendshme.
Sa i përket axhendës parlamentare për sot, në rendin e ditës janë parashikuar katër interpelanca, mes tyre një kërkesë e grupit demokrat me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo lidhur me reagimin e policisë ndaj protestuesve. Tre interpelanca të tjera janë me ministrat Enea Karakaçi e Petrit Malaj, për çështje që lidhen me autostradën Milot-Balldre, TEC-et lundruese në Vlorë dhe çmimet e produkteve bazë.