Nëna me foshnjën 4-muajshe në burg pas vendimit të GJKKO, avokatët thyejnë bojkotin. Gjoci del sot para GJKKO

08/10/2026 10:18

Rasti i Greta Gjocit, nënës së një foshnjeje 4-muajshe, ka marrë një zhvillim të ri në kushtet e bojkotit të avokatëve ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se avokatët e Greta Gjocit, e cila ndodhet në institucionin e vuajtjes së dënimit në Pojskë së bashku me foshnjën e saj, kanë deklaruar se do të marrin përsipër përfaqësimin e saj, pavarësisht bojkotit të avokatëve.

“Të marrim përsipër riskun dhe të rrezikojmë licencën”, kanë deklaruar avokatët, sipas gazetares Hoxha, duke argumentuar se vendimi lidhet me faktin se klientja e tyre ka një fëmijë të vogël dhe se rasti konsiderohet prej tyre me karakter humanitar dhe të paprecedentë.

Gjoci u arrestua menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, së bashku me 15 persona të tjerë, në kuadër të çështjes së call center-ave.

Sipas raportimit të Anila Hoxhës, ajo pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me procedurat përkatëse.

Rasti i Gjocit ka tërhequr më herët edhe vëmendjen e Avokatit të Popullit, pasi ajo po vuan dënimin së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe në burgun e grave në Pojskë.

Një grup pune i Mekanizmit për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit ka nisur verifikimin në institucionin e vuajtjes së dënimit, me qëllim shqyrtimin e situatës dhe rrethanave të rastit.

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se pas përfundimit të monitorimit do të publikojë gjetjet. Zhvillimi vjen në një kohë kur Dhoma e Avokatisë po zhvillon një bojkot në kundërshtim me rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme.

Në këtë kontekst, vendimi i avokatëve të Gjocit për të marrë përsipër përfaqësimin e saj lidhet me rrethanat e veçanta të rastit dhe faktin që ajo ndodhet në burg bashkë me fëmijën e saj të mitur.

Gjoci është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për veprat penale “mashtrim kompjuterik”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Më 5 tetor, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Top Channel