Ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare Margaret Hamilton, shkencëtarja amerikane e kompjuterëve që drejtoi ekipin përgjegjës për software-in e misioneve Apollo të NASA-s dhe kontribuoi në mënyrë vendimtare në uljen e Apollo 11 në Hënë. Hamilton ndërroi jetë më 30 shtator. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik. Lajmi u konfirmua nga Massachusetts Institute of Technology, ku ajo punoi për vite me radhë.
Pak minuta para uljes së modulit Eagle në sipërfaqen e Hënës, kompjuteri i Apollo 11 dha alarmin 1202, duke sinjalizuar mbingarkesë të sistemit. Software-i i zhvilluar nga ekipi i Hamilton ishte projektuar për t’u dhënë përparësi detyrave kritike dhe për të ndërprerë proceset jo të domosdoshme. Sistemi arriti të menaxhonte mbingarkesën dhe misioni vazhdoi, duke i hapur rrugën Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin për uljen historike në Hënë.
Hamilton ishte në krye të një ekipi prej rreth 100 inxhinierësh që zhvilluan software-in e fluturimit për misionet Apollo. Ajo konsiderohet gjithashtu një prej figurave që ndihmuan në krijimin dhe konsolidimin e disiplinës së software engineering. Për kontributin e saj, Hamilton u nderua në vitin 2016 me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nga presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama.
Pas programit Apollo, ajo vazhdoi karrierën në teknologji dhe themeloi dy kompani software-i. Hamilton publikoi më shumë se 130 punime dhe u kthye në një simbol të grave në shkencë dhe teknologji. Historia e saj mbetet e lidhur me një prej momenteve më të rëndësishme të historisë njerëzore: uljen e parë të njerëzimit në Hënë, më 20 korrik 1969.