Presidentja e re e Kosovës merr detyrën, këngëtarja shqiptare Rita Ora ndan pamjet e ceremonisë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së re të Kosovës.
Artistja me prejardhje nga Kosova ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një video nga ceremonia e betimit të presidentes së re. Shiroka-Pula u betua para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke marrë zyrtarisht detyrën e saj si presidente e vendit.
Rita Ora ka dëshmuar ndër vite lidhjen e fortë që ka me Kosovën dhe rrënjët e saj. Këngëtarja është shpallur Ambasadore Nderi e Kosovës dhe vazhdimisht ka shfrytëzuar platformën e saj ndërkombëtare për të promovuar vendin dhe identitetin shqiptar.
Në intervista, dalje publike dhe përmes rrjeteve sociale, ajo ka folur shpesh për origjinën e saj, Kosovën dhe kulturën shqiptare. Gjithashtu, në raste të ndryshme, Rita ka sjellë elemente të gjuhës dhe traditave shqiptare para publikut ndërkombëtar.
Reagimi i saj i fundit vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, menjëherë pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente.
Zgjedhja e saj u bë pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik, gjatë së cilës institucionet e Kosovës hasën vështirësi për të arritur një marrëveshje rreth zgjedhjes së presidentit të ri.

