Transporti ajror në Maqedoni ka shënuar një rritje të konsiderueshme, të cilën Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, e lidh me skemën e subvencionimit të linjave ajrore. Kjo politikë u hartua në vitin 2024 dhe nisi të zbatohej gjatë vitit 2025.
Të lidhura
None found
Sipas Nikolloskit, numri i udhëtarëve në dy aeroportet e vendit vijon të rritet. Në korrik, trafiku ishte 21 përqind më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa gushti solli një rritje prej 31 përqind.
Nikolloski kujtoi se në momentin kur morën detyrën, trafiku i përgjithshëm në të dy aeroportet arrinte afërsisht në 2 milionë e 400 mijë pasagjerë. Ai tha se pritshmëria e tij ishte që deri në përfundim të mandatit të parë të qeverisë së OBRM-PDUKM-së të arrihej shifra prej rreth 3.2 – 3.3 milionë pasagjerësh, por vendi tashmë e ka kaluar nivelin e 3 milionë pasagjerëve brenda një viti.
“Këtë vit, nëse do të arrijmë 4 milionë pasagjerë, është fjalë për fjalë çështje fati dhe disa dhjetëra mijëra pasagjerësh”, deklaroi ai.
Ministri shtoi se Maqedonia, pavarësisht se ka një popullsi prej rreth 1.8 milionë banorësh, ka potencial të regjistrojë 4 milionë pasagjerë në vit në të dy aeroportet./Telegrafi/







