Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar deputetëve socialistë statutin e PS-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke paralajmëruar ata që kanë shprehur kundërshtime ndaj reformës territoriale. Në nisje të takimit, kreu i grupit Taulant Balla u ka kërkuar socialistëve të votojnë edhe njëherë për draftin qe shkrin 15 bashki. Ndryshe nga mbledhja e kaluar, këtë herë vetëm deputeti Erion Braçe u shpreh sërish kundër.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se menjëherë pas këtij momenti, Rama i është drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Braçes, me të cilin ka patur edhe një debat të ndezur. Deputeti socialist mësohet se ka përsëritur edhe njëherë kritikat e shprehura edhe gjatë mbledhjes së kaluar të grupit për Territorialen.

Debati mes tyre është mbyllur me paralajmërimin e Ramës se nëse nuk do t'i bindej vendimit politik të grupit për një votë pro, atëherë ishte automatikisht i përjashtuar.  Menjëherë pas kësaj, Rama mësohet se është larguar nga mbledhja. 

Ndërsa Vullnet Sinaj i cili kishte shprehur hapur rezerva ndaj reformës territoriale dhe kishte votuar kundër në mbledhjen e kaluar, kësaj radhe ka ndryshuar qëndrim.

Në mbledhjen e grupit, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, mësohet se Sinaj ka votuar pro draftit të PS-së që shkrin 15 bashki. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në seancë Erion Braçe, i cili është shprehur kundër reformës.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - ‘Territorialja’, seancë maratonë në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet! ‘Pendohet’ Sinaj! Mbërrin Rama