Bardhi në Kuvend: Të ndalet dhuna ndaj qytetarëve. Rama të japë llogari, është interpelanca e 11-të që refuzohet
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve jashtë ambienteve të Kuvendit. Gjatë fjalës së tij në seancë, Bardhi e cilësoi të papranueshme përdorimin e forcës ndaj qytetarëve dhe kërkoi që autoritetet të garantojnë të drejtën kushtetuese për protestë paqësore. Deklarata e tij vjen pas tensioneve të regjistruara jashtë Kuvendit, ku policia përdori edhe sasi të konsiderueshme të sprajit lotsjellës.
“Duhet të ndalet menjëherë dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë kësaj godine. Është e papranueshme që qytetarëve t’u mohohet e drejta për të protestuar”, u shpreh Bardhi. Ai akuzoi shumicën parlamentare se po injoron zërin e qytetarëve dhe kërkesat e tyre lidhur me hartën e re territoriale, duke kërkuar që deputetët të marrin në konsideratë qëndrimin e zgjedhësve të tyre.
Në vijim, Bardhi kritikoi edhe mungesën e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke argumentuar se ai duhet të ishte i pranishëm për t’u përballur me pyetjet e opozitës dhe për të dhënë llogari mbi çështje që lidhen me ushtrimin e detyrës së tij. Një pjesë e deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PD-së iu kushtua edhe propozimit të Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, për të cilin Bardhi kërkoi shpjegime nga kryeministri.
Ai pati gjithashtu një përplasje verbale me deputetin e mazhorancës, Taulant Balla, duke rikthyer në vëmendje qëndrimet e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe duke e akuzuar shumicën se po refuzon në mënyrë të përsëritur interpelancat me kryeministrin. “Është interpelanca e 11-të që refuzoni të sillni këtu Kryeministrin e Shqipërisë. Është një turp”, deklaroi Bardhi. Fjalimi i tij u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ndërsa jashtë Kuvendit vijonin përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë.

