Një anëtar i Marinës Mbretërore britanike është akuzuar për spiunazh për një shtet të huaj, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, njoftoi policia. Teddy Young, 24 vjeç, nga Bedfordshire, akuzohet për vepra penale sipas Ligjit për Sigurinë Kombëtare (NSA), përfshirë akuzën se ka siguruar informacione të mbrojtura që mund t’i shërbenin një fuqie të huaj të paidentifikuar, raporton BBC.
Ai është lënë në paraburgim dhe pritet të dalë të enjten para Gjykatës së Magjistratëve të Westminsterit, përcjell A2 CNN. Komandantja Helen Flanagan, drejtuese e Njësisë së Policisë Kundër Terrorizmit në Londër, tha: “Këto janë akuza shumë të rënda ndaj një anëtari në detyrë të forcave të armatosura”.
Policia tha se akuzat nuk kanë lidhje me incidentin e fundit në bazën ajrore RAF Fairford, i cili çoi në arrestimin e disa personave pas raportimit të aktivitetit të dyshimtë pranë bazës. Të martën, një person i shtatë u arrestua në lidhje me këtë incident, i cili vijon të hetohet nga policia kundër terrorizmit. Young u arrestua në banesën e tij në Bedfordshire të martën.
Akuzat lidhen me periudhën nga 26 nëntori 2024 deri më 21 maj 2025 dhe përfshijnë pretendimin se ai ka kryer veprime “në përgatitje për kryerjen e një vepre penale që lidhet me zbulimin e informacioneve të mbrojtura”, në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu, ai akuzohet se “ka marrë, kopjuar, regjistruar ose mbajtur informacione të mbrojtura, me synimin që veprimet e tij t’i shërbenin një fuqie të huaj, duke e ditur ose duke pasur parasysh rrethana të tjera të njohura prej tij, se në mënyrë të arsyeshme duhej të dinte se këto veprime cenonin sigurinë ose interesat e Mbretërisë së Bashkuar”.
Lini një Përgjigje