Sot votimi për 46 bashki, Berisha thirrje socialistëve: Territorialen çojeni në referendum, të vendosë populli
Sali Berisha ka kundërshtuar në Kuvend Reformën Territoriale të propozuar nga mazhoranca, duke kërkuar që vendimmarrja për këtë çështje t’u lihet qytetarëve përmes një referendumi. Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, Berisha akuzoi mazhorancën se reforma nuk synon përmirësimin e shërbimeve apo interesin e qytetarëve, por forcimin e pushtetit politik.
Ai i bëri thirrje deputetëve të rrëzojnë projektin dhe të mbështesin zhvillimin e një referendumi, ku qytetarët të kenë mundësi të shprehen mes dy alternativave për organizimin territorial të vendit. “Le t’u japim qytetarëve mundësinë të vendosin vetë për një proces kaq të rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre dhe shërbimet që marrin”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo do të ishte rruga e vetme për të garantuar një vendimmarrje që buron nga vullneti i qytetarëve. Berisha vijoi akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar qëndrimin e saj si të kundërt me interesat e shqiptarëve. Seanca parlamentare është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa demokratët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale të vendit.

