Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri, ka folur në protestën që po zhvillohet para Parlamentit kundër reformës territoriale dhe shkrirjes së 15 bashkive.
Curri e ka cilësuar shkrirjen e bashkive si një reformë klienteliste, për të cilën pretendon se është hartuar pa konsultim dhe nën tavolinë nga deputetë të mazhorancës. Sipas tij, kjo reformë nuk lidhet me kërkesat e Bashkimit Europian.
“Sot jemi mbledhur 15 kryetarë bashkish, në emër të 300 mijë qytetarëve që preken. Siç shpëtoi Konispoli, siç shpëtoi Delvina... Kjo është një reformë, e cila, Arbjan Maznikun do ta ndjekë historia deri ditën kur të mos jetojë më. Arbjan, çuni më i keq që kanë njohur shqiptarët. Do të marrë në qafë 300 mijë shqiptarë”, u shpreh Curri.
Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz tha se harta e re territoriale, sipas tij, nuk është në shërbim të qytetarëve dhe nuk i përshtatet kërkesave të Bashkimit Europian.
“Harta nuk është në shërbim të qytetarëve, nuk është hartë që i përshtatet kërkesave të Bashkimit Europian. Kjo është hartë për të shkatërruar bashkitë që kanë identitet, histori e shërbime”, deklaroi ai.
Curri tha se kryetarët e bashkive dhe qytetarët e prekur nga reforma do të vijojnë kundërshtimin e saj, duke kërkuar që deputetët të mos e votojnë.
“Ne sot këtu po mbrojmë të drejtën. Ne do të jemi këtu që ata të mos ta votojnë, sepse do t'ju ndodhë si në Francë, Ukrainë, Kosovë...”, u shpreh Hilë Curri.
© SYRI.net