Kuvendi në seancë plenare refuzoi kërkesat e Sali Berishës dhe Tedi Blushit për heqjen nga rendi i ditës të ligjit për Reformën Territoriale. Berisha kërkoi të shkohet në referendum për të pyetur qytetarët:
Në rast se ka mbetur një nanogram në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, hidheni poshtë këtë projekt armiqësor ndaj qytetarëve. Hidheni poshtë këtë projekt për të cilin nuk ka qytetar që e voton. Hidheni poshtë dhe lejoni të shkohet në referendum.
Të pyesim qytetarët për këtë projekt madhor që ka të bëjë me të ardhmen e qytetarëve. Të dalim në referendum me dy variante dhe të lejojmë qytetarët të zgjedhin. Ju largoni qytetarët nga Shqipëria dhe si shushunja fryheni çdo ditë e më shumë.
Fjalën për replikë e mori kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili u shpreh i sigurt se sot votohet reforma.
Do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës.
Ftesa ime për ju është që javën e ardhshme të ngremë komisionin e përbashkët për ndarjen e kompetencave.
Sa herë ju kam parë unë të zgërdhiheni si sot… Keni një javë kohë të mendoheni, kjo sot do të votohet. Bëni gati propozimet! Do të shqyrtojmë edhe propozimin tuaj.
Pas votimit, Kuvendi i refuzoi të dyja kërkesat dhe kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi vijimin e seancës me rendin aktual të ditës së sotme.