Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës ka vijuar në sallën e Kuvendit, ku deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, iu përgjigj deputetit demokrat Gazment Bardhi.
Spiropali deklaroi se nuk mund të shantazhohet nga askush, ndërsa kundërshtoi pretendimin e Bardhit se përfaqëson zërin e qytetarëve.
“Të jesh i sigurt, Gaz Bardhi, nuk ka njeri këtu që të më shantazhojë mua. E kam kërkuar… S’je ti zëri i qytetarëve që pretendon. Por nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetët dhe ata që kishe drejtues të PD-së në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot, se do të shkojnë aty ku e kanë vendin.
Nuk mund të përdoret këtu çdo platformë për të folur për të njëjtën çështje. I qëndroj një më një gjërave që kam thënë, në platformë dhe pa platformë, e kam prezantuar në Asamblenë e PS-së.
Ashtu sikur ju nuk thoni dot një fjalë në parti. Ju nuk keni një parti, por një njeri. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit të pushtetit në një dorë, nga pushteti lokal te ai qendror. Ju jeni mishërimi i pushtetit deri në katandisje. I kam dalë kundër kësaj kulture. Mos i lidh çështjet që janë të palidhura, se do të zgjidhen shumë shpejt.”, tha ajo.












