Italia nën ‘pushtimin’ e motit të keq/ Mbyllen shkollat në disa zona, stuhi dhe përmbytje të fuqishme në Romë Një 23-vjeçare në Wisconsin është arrestuar pasi dyshohet se është shtirur si mësuese zëvendësuese në një shkollë të mesme dhe ka shkaktuar kaos në klasë, duke fyer dhe ofenduar nxënësit.
Bëhet fjalë për Amy Jones, e cila akuzohet për uzurpim të një funksioni publik dhe për pesë raste të ekspozimit të një të mituri ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Gjatë marrjes në pyetje, e reja dyshohet se u ka thënë autoriteteve se e kishte organizuar të gjithë situatën sepse “mërzitej” dhe se “i urrente fëmijët”.
Ngjarja ka ndodhur në Rufus King International High School në Milwaukee, shkollë ku Jones kishte qenë më parë nxënëse. Sipas hetimit, 23-vjeçarja kishte kryer vëzhgime të përsëritura të shkollës për rreth një javë përpara se të hynte në ambientet e saj, duke shmangur kontrollet e sigurisë dhe duke u përzier me nxënësit.
Ajo dyshohet se përfitoi nga një situatë me mungesa të shumta të stafit. Tetë mësues mungonin atë ditë dhe vetëm shtatë mësues zëvendësues ishin regjistruar. Jones dyshohet se u paraqit si zëvendësuesja e tetë dhe u drejtua drejt një klase ku ndodhej edhe një mësues tjetër.
Rreth 20 minuta më vonë, pasi mësuesi tjetër u largua nga klasa, 23-vjeçarja dyshohet se nisi të zbatonte planin e saj. Sipas dëshmive, ajo i ndau nxënësit në bazë të racës dhe gjinisë dhe përdori ndaj tyre fyerje raciste, denigruese dhe gjuhë me përmbajtje seksuale.
Ajo gjithashtu lidhi kompjuterin e klasës dhe vendosi muzikë rap me volum shumë të lartë. Sipas dëshmive, gjatë incidentit ajo u mburr se nuk kishte frikë të përfundonte në burg.
Një nxënës 16-vjeçar ka deklaruar se Jones e kishte quajtur një nxënës tjetër “djalë të shëndoshë” dhe kishte fyer dy të tjerë, duke i akuzuar se ishin persona që mund të shkaktonin të shtëna në shkolla.
Sipas dëshmive të raportuara nga mediat lokale, ajo dyshohet se kishte pyetur gjithashtu nxënësit nëse kishin cigare elektronike apo marihuanë, duke u ankuar se ora e mësimit ishte “e mërzitshme dhe bezdisëse”. Jones u arrestua pak kohë pas incidentit. Gjatë marrjes në pyetje, ajo dyshohet se u tha autoriteteve se veprimet e saj i kishte bërë nga mërzia dhe për t’u “argëtuar pak”.
Një hetim i brendshëm i shkollës ka ngritur dyshime se 23-vjeçarja arriti të shmangte verifikimin e identitetit dhe të përshtatshmërisë për mësuesit zëvendësues, pasi njihte disa prej punonjësve të ish-shkollës së saj. Seanca paraprake gjyqësore pritet të zhvillohet më 20 tetor. Nëse shpallet fajtore për akuzat, Jones mund të përballet me një dënim deri në 21 vite burg.
Avokatët e saj kanë deklaruar se e reja vuan nga çrregullimi bipolar dhe se në ditën e incidentit mund të ketë pasur probleme me medikamentet që përdorte. Këto pretendime do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor.
Top Channel