G.Gj, nëna 33 vjeçe e dërguar gjatë ditës së djeshme më 7 tetor në burgun e Pojskës në Pogradec, nuk do të rikthehet më në qeli.
Kjo, pasi GJKKO ka pranuar kërkesën e saj për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Seanca nuk zgjati më shumë se gjysmë ore, ndërsa i pranishëm ishte edhe avokati. Ky i fundit tha se e ka shkelur bojkotin e avokatëve, për çështje humanitare.
Për shkak të situatës së pazakontë, nëna me foshnjën është vizituar gjatë ditës së djeshme edhe nga Avokati i Popullit.
Kujtojmë se Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi më 5 tetor dënimet e dhëna për 16 të pandehurit, pjesë e grupit për mashtrime me call center. Grupi dyshohet se mashtronin qytetarët europianë.
Në total, anëtarët e grupit janë dënuar me mbi 110 vite burgim. Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup kriminal”. Nëna 33-vjeçare me foshnjën ishte pjesë e grupimit.

