Një trup i pajetë dhe në gjendje të dekompozuar është gjetur në zonën e njohur si “Përroi i Zall Frashër”, në fshatin Zhejë të Mamurrasit. Trupi u konstatua në një zonë të thellë të fshatit, ndërsa menjëherë pas gjetjes së tij në vendngjarje mbërriti grupi hetimor, i cili nisi verifikimet për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave. Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se bëhet fjalë për një shtetas francez, 61 vjeç. Sipas informacioneve të mbledhura deri në këtë fazë, viktima dyshohet se kishte ardhur si vizitor në këtë zonë. Në mungesë të shenjave që të çojnë në një ngjarje kriminale, pista kryesore e hetimit është ajo e një vdekjeje për shkaqe natyrale. Megjithatë, gjendja e dekompozuar e trupit e bën të nevojshme kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes.