E enjte, 8 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:00 Në vijim ora 14:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Incident misterioz në laboratorin rus, dyshime për një bakter të ri që shkakton murtajën pneumonike  

Një incident në një laborator në Siberi ka ngritur alarmin për një sëmundje misterioze, potencialisht vdekjeprurëse, ndërsa autoritetet ruse po hetojnë mundësinë e një rasti të murtajës pneumonike.

Në qendër të vëmendjes është qyteti i Irkutskut, ku një 28-vjeçare, punonjëse e një instituti kërkimor të specializuar në studimin e murtajës, humbi jetën pasi u shtrua me pneumoni të rëndë, ndërsa shkaku i saktë i sëmundjes ende nuk është përcaktuar.

Reklamë

Rasti mori vëmendje të veçantë për shkak se gruaja punonte në laboratorin e Institutit të Kërkimeve Kundër Murtajës.

Mediat kanë raportuar për një incident të mundshëm në laborator, ku pretendohet se mund të jetë thyer një epruvetë që përmbante bakterin e murtajës.

Reklamë

Por ky version është  hedhur poshtë nga autoritetet shëndetësore në Rusi. Moska këmbëngul se deri më tani nuk ka prova që bëhet fjalë për një shpërthim të murtajës dhe se hetimet për shkakun e vdekjes vijojnë.

Situata në Rusi ka ngritur alarmin edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë e cila po ndjek situatën.

“OBSH-ja ka kërkuar informacione të mëtejshme mbi testet laboratorike të kryera mbi individin që vdiq dhe gjendjen shëndetësore me kontaktet e mundshme. Ne gjithashtu kemi kërkuar verifikimin e raporteve mediatike për një punonjës të dytë me pneumoni me shkak të papërcaktuar”, deklaroi Tedros Adhanom, drejtor i OBSH.

Sipas OBSH ka raportime për një rast të dytë të dyshuar, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet Ruse.

Ndërkohë situata në Rusi ka marrë edhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku Presidenti Donald Trump së pari I ka ofruar ndihmë autoriteteve shëndetësore atje duke konfirmuar edhe një telefonatë të drejtpërdrejtë me shefin e Kremlinit. Duke iu përgjigjur interesit publik nëse situata me murtajën në Rusi mund të lidhet me një armë bilogjike, Trump e mohoi.

“Epo, nuk mendojmë kështu. Do ta zbulojmë së shpejti, por nuk mendojmë kështu. Dhe nëse i dëgjoni autoritetet,ata thonë se është nën kontroll. Gjithsesi të shpresojmë që është. Ne presim që ata ta ndajnë më tepër informacion me njerëzit tanë. Ne kemi ekspertë të shkëlqyer. Ata dinë gjithçka rreth asaj që po ndodh. Dhe i gjithë ai informacion po kalon përmes tyre”, tha Trump.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov e mirëpriti interesimin dhe gatishmërinë e SHBA për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore ruse.

“Është gjithmonë shumë mirë kur ofrohet ndihmë e ndërsjellë. Të them të drejtën, nuk e dëgjova Presidentin e SHBA-së të thoshte se e konsideron këtë një problem të madh për Rusinë. Nuk mendoj se e tha këtë. Megjithatë, mund të gabohem”, tha Peskov.

Murtaja pneumonike është forma më e rrezikshme e sëmundjes, pasi mund të transmetohet përmes grimcave respiratore gjatë kontaktit të afërt. Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, murtaja sot mund të trajtohet me antibiotikë nëse diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.