web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

BE: Reforma për përgatitjen e bllokut për anëtarë të rinj

8 Tetor 2026, 13:36, Kosova & Bota CNA

BE: Reforma për përgatitjen e bllokut për anëtarë

Komisioni Europian dëshiron t'i japë një impuls të ri procesit të zgjerimit, në të cilin disa vende kandidate kanë pritur me dekada për t'u anëtarësuar.

Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina janë aktualisht vendet më të avancuara drejt anëtarësimit në BE. Zyrtarët europianë kanë shprehur shpresën se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së që në vitin 2028.

"Një union më i madh është një investim afatgjatë për paqen, sigurinë dhe mirëqenien e Europës,” deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, para gazetarëve në Strasburg (06.10.2026).

Një nga pyetjet kryesore është se si BE-ja mund të pranojë më shumë vende në të ardhmen e afërt pa u bërë më e vështirë për t'u qeverisur ose pa rrezikuar prapakthim demokratik në shtetet e reja anëtare.

Përgjigjja e Komisionit është që paralelisht vendet kandidate të përmbushin standardet e BE-së dhe vetë BE-ja të reformohet duke hequr pengesat në procesin e anëtarësimit dhe duke mbrojtur vlerat e saj demokratike.

Më pak unanimitet, më shumë votim me shumicë të cilësuar

Një nga pengesat kryesore në negociatat e anëtarësimit deri tani ka qenë nevoja për vendime unanime nga të 27 shtetet anëtare. Në të kaluarën, shtete të veçanta kanë bllokuar përparimin e vendeve kandidate për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Një shembull i dukshëm janë vonesat e shkaktuara nga Hungaria në procesin negociues të Ukrainës.

Tani, dhe jo për herë të parë, Komisioni rekomandon që shtetet anëtare të largohen nga parimi i unanimitetit për vendime si hapja e grupeve të kapitujve negociues dhe ta zëvendësojnë atë me votim me shumicë të cilësuar.

Dilema e unanimitetit

"Çdo grup kapitujsh që hapet i nënshtrohet tre vendimeve të veçanta dhe çdo vendim kërkon unanimitet. Kjo është e pabesueshme dhe mendoj se duhet të ndryshojë qartë,” tha një zyrtar i Komisionit, i cili dëshiroi të mbetej anonim.

Problemi është se kalimi në votim me shumicë të cilësuar do të kërkonte vetë një vendim unanim.

"Kam rezerva nëse shtetet anëtare do të bien dakord njëzëri për këtë ndryshim,” tha Tinatin Akhvlediani, drejtuese e programit të zgjerimit në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), duke kujtuar përpjekjet e mëparshme të dështuara për ndryshimin e rregullave të votimit.

Qasje graduale në përfitimet e anëtarësimit
Për të nxitur reformat në vendet kandidate, Komisioni propozon integrim gradual. Kjo do të thotë se këto vende mund të përfitojnë nga disa avantazhe të anëtarësimit para se të bëhen anëtare të plota, për sa kohë që përmbushin kriteret e BE-së.

"Integrimi gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit të plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit,” tha Marta Kos, duke theksuar se procesi do të mbetet i bazuar në meritë.

Sipas Nina Vujanovic, studiuese në institutin kërkimor Bruegel me seli në Bruksel, kjo mund të ketë një efekt motivues për vendet kandidate: "Reformat janë të rëndësishme, por është po aq e rëndësishme që ky proces të shpërblehet disi më herët, para anëtarësimit.”

Qasja më e hershme në përfitimet e BE-së nuk është krejtësisht e re. Për shembull, Mali i Zi tashmë merr pjesë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) edhe pse ende nuk është anëtar i BE-së.

Përballja me realitetet gjeopolitike

Komisioni tani dëshiron ta bëjë këtë qasje më sistematike dhe ta lidhë me përafrimin strategjik.

"Kjo nuk do të jetë e disponueshme për vendet kandidate nëse ato nuk orientohen qartë drejt BE-së,” tha një zyrtar i Komisionit.

Kushtëzimi me përafrim strategjik është një element i ri dhe pasqyron përpjekjet e BE-së për t'iu përshtatur tensioneve gjeopolitike me të cilat përballen anëtarët dhe kandidatët.

Zgjedhja e kandidatëve: Rusia apo BE-ja?

"BE-ja po përpiqet të mbajë vendet kandidate larg ndikimit rus,” tha Heather Grabbe, studiuese e lartë në Bruegel. "Synimi për përafrim strategjik drejtohet veçanërisht ndaj politikanëve si Aleksandar Vuçiq në Serbi, i cili ka promovuar qartë interesat ruse,” shtoi ajo.

Procedurat e reja do të kërkonin përafrim jo vetëm me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, por edhe me standardet e saj për sigurinë ekonomike. "Tregtia e gazit me Rusinë thjesht nuk është diçka që ndërton besim me Bashkimin Evropian,” tha Nina Vujanovic./dw





Lajmet e fundit nga