Bashkëkryetari i PS për komisionin e posaçëm të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku mbrojti në Kuvend propozimin për shkrirjen e 15 bashkive duke pretenduar se zvogëlimi i numrit të bashkive, do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
Duke e konsideruar reformën e vitit 2014 “të suksesshme”, Mazniku tha se këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e shqiptarëve pavarësisht se këta të fundit kanë protestuar kundër propozimit të socialistëve.
“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t'u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t'u pastrohet dhe t'u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik.
A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat. Ajo situatë, as propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë. Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit. Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”- tha Mazniku. Versus.al

