Aksident në aksin Kardhiq-Delvinë, kamioni përmbyset në rrugë Është shtyrë seanca për caktimin e masës së sigurisë për Leli Kajën, administratorin e inceneratorit të Elbasanit.
Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha. Për shkak të bojkotit, Kaja nuk ka gjetur ende një avokat, çka solli edhe shtyrjen e seancës.
Dita e premte, ora 09:00 është afati i fundit për masën e sigurisë ose në të kundërt, Kaja lirohet.
Bojkoti i avokatëve në GJKKO, jo vetëm ndaj seancave të themelit, por edhe ndaj masave, fut në ngërç gjykatën me rastin e të arrestuarit. Gjatë ditës, seanca vazhdon të mos bëhet, ndërsa nesër, në orën nëntë, i mbarojnë afatet dhe rrezikohet që ky shtetas të lirohet.
Gjykata ende nuk ka asnjë komunikim zyrtar. Vazhdon të mbajë qëndrim ekstrem, jo vetëm ndaj avokatëve, por, siç raporton Anila Hoxha, edhe ndaj mediave.
Ndonëse transparencën e ka detyrim ligjor, gjykata nuk jep asnjë informacion.
GJKKO nuk u përgjigjet gazetarëve të paakredituar, të cilët refuzojnë të firmosin formularin ku kërkohen të dhëna personale dhe refuzojnë aplikimin e rregullores, e cila është paditur nga Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese.
Kaja është i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit të SPAK ai ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Top Channel