Korridori VIII, Hoxha nga Sofja: Shqipëria ka kaluar në fazën e zbatimit, kthejmë vizionin në realitet

8 Tetor 2026, 15:25Politika TEMA
Korridori VIII, Hoxha nga Sofja: Shqipëria ka kaluar në fazën e

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën për Korridorin VIII, organizuar nga Ministrja për Punët e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, në Sofje të Bullgarisë.

Konferenca e Sofjes vjen pas takimit Ministror të organizuar nga Shqipëria, në Tiranë, në shkurt të këtij viti.

Takimi i Tiranës, sipas Hoxhës, përcaktoi një vizion të përbashkët politik për këtë korridor.

“Sot, në Sofje, fokusi ynë është i qartë: ta kthejmë angazhimin politik në zbatim konkret. Suksesi i Korridorit VIII nuk do të matet me deklarata, por me zbatimin.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë të ndërtojmë një korridor të vetëm, plotësisht funksional, dhe jo një seri projektesh kombëtare të palidhur”, tha ai.

Për Ministrin e Jashtëm, Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt transporti.

“Ai është një portë strategjike Lindje–Perëndim që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke bashkuar ekonomitë tona, rrjetet energjetike, interesat tona të sigurisë dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha Hoxha.

Ministri theksoi se Korridori VIII është gjithashtu një projekt i fuqishëm Evropian.

“Ai ka potencialin t’i bëjë përfitimet e integrimit evropian të prekshme përpara anëtarësimit. Lidhje më të mira do të thotë më shumë tregti, kosto më të ulëta transporti, më shumë investime dhe konkurrueshmëri më të lartë. Mbi të gjitha, ai afron qytetarët, bizneset dhe tregjet tona.
Por sot, ndërlidhja është e pandashme nga #siguria. Adriatiku, Ballkani Perëndimor dhe Deti i Zi janë pjesë e së njëjtës hapësirë strategjike. Forcimi i Korridorit VIII do të thotë gjithashtu forcim i infrastrukturës, lëvizshmërisë dhe qëndrueshmërisë që mbështesin sigurinë, parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive.”

Hoxha nënvizoi se Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë avancimit të lëvizshmërisë ushtarake dhe nxitjes së një koordinimi më të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s për infrastrukturën prioritare me përdorim të dyfishtë.

“Konsensusi politik tashmë ekziston. Ajo që nevojitet tani është një listë e qartë projektesh prioritare, afate realiste, koordinim më i fortë ndërmjet qeverive dhe një mekanizëm i qëndrueshëm për monitorimin e zbatimit. Në fund të fundit, Korridori VIII do të matet me rezultatet që arrijmë së bashku dhe, mbi të gjitha, me faktin nëse qytetarët tanë do të përjetojnë një rajon më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më evropian. Shqipëria nuk është vetëm e angazhuar; ne kemi kaluar në fazën e zbatimit. Do të bëjmë pjesën tonë për ta kthyer Korridorin VIII nga vizion në realitet”.

Lini një Përgjigje