E trishtë, ndahet nga jeta shkencëtarja e NASA-s që dërgoi njeriun në Hënë
Margaret Hamilton, shkencëtarja amerikane e kompjuterëve që udhëhoqi ekipin përgjegjës për zhvillimin e softuerit të misioneve Apollo të NASA-s, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare.
Instituti i Teknologjisë i Massachusettsit (MIT), ku Hamilton punoi nga viti 1959 deri në mesin e viteve 1970, konfirmoi se ajo vdiq më 30 shtator.
Hamilton drejtoi Divizionin e Inxhinierisë së Softuerit në MIT dhe ekipin që zhvilloi dhe testoi softuerin e instaluar në kompjuterët e anijes për misionin Apollo 11. Ky sistem udhëhoqi astronautët amerikanë Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin gjatë zbritjes historike në Hënë në vitin 1969.
Pak çaste para uljes së Apollo 11, kompjuteri i bordit dha një alarm duke sinjalizuar se sistemi po mbingarkohej. Situata rrezikonte të ndërpriste procesin e ndërlikuar të uljes, por ekipi i Hamilton kishte parashikuar një skenar të tillë.
Softueri ishte projektuar në mënyrë që, në rast mbingarkese, të ndërpriste detyrat me përparësi më të ulët dhe të përqendronte kapacitetin e kompjuterit te funksioni më i rëndësishëm: ulja në Hënë.
Puna e Hamilton dhe ekipit të saj u bë simbol i rëndësisë së softuerit në eksplorimin hapësinor dhe kontribuoi në konsolidimin e vetë termit “inxhinieri softuerike”.
Një fotografi e vitit 1969, ku Hamilton qëndron pranë një pirgu të lartë me kodin e printuar të programit të Apollo-s, është bërë një nga imazhet më të njohura që lidhen me historinë e hershme të programimit.
Në vitin 2016, presidenti amerikan Barack Obama e nderoi Hamilton me Medaljen Presidenciale të Lirisë, vlerësimi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara, për kontributin e saj në shkencë dhe eksplorimin hapësinor. Në ceremoninë e ndarjes së medaljes, Obama e cilësoi atë si simbol të një brezi grash të talentuara, kontributi i të cilave ndihmoi në dërgimin e njerëzimit në hapësirë.
E lindur në Indiana në vitin 1936, Hamilton studioi matematikë dhe nisi punën në MIT në vitin 1959. Në vitet e mëvonshme ajo themeloi kompanitë e saj të zhvillimit të softuerit, përfshirë Hamilton Technologies, e cila vazhdon të jetë aktive në Massachusetts.
Margaret Hamilton lë pas vajzën, dhëndrin, dy nipër dhe katër stërnipër.


