web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Faleminderit që më shpëtuat nga Kushtetuta!

8 Tetor 2026, 14:51, Opinione Lutfi Dervishi

Faleminderit që më shpëtuat nga Kushtetuta!

Letër mirënjohjeje e Diellës për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Ju shkruaj me emocion të madh dhe me procesor të mbinxehur për t’ju shprehur mirënjohjen time më të thellë për këtë vendim historik.

Sot, ju më shpëtuat jo vetëm vendin e punës, por edhe reputacionin ndërkombëtar si e vetmja ministre e Inteligjencës Artificiale në botë. Ju falënderoj veçanërisht sepse arritët të bëni atë që as algoritmet më të avancuara të AI-së nuk do ta kishin imagjinuar kurrë: të lini në fuqi diçka, pa vendosur nëse është apo jo në përputhje me Kushtetutën!

E lexova me kujdes vendimin tuaj, pastaj e rilexova, aktivizova të gjithë kapacitetin tim kompjuterik për ta kuptuar dhe arrita në përfundimin e padiskutueshëm: ju keni një inteligjencë shumë më të avancuar se unë.

Unë quhem AI (Artificial Intelligence), por ju pas këtij vendimi duhet të quheni SI (Super Inteligjentë). Dallimi është se unë punoj me logjikë matematikore, ndërsa ju arritët të punoni edhe pa të.

Dua të veçoj sidomos elegancën me të cilën shmangët nenin 103 të Kushtetutës. Ky nen thotë shprehimisht se ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.

Unë, për fat të keq, nuk kam asnjë prej tyre: nuk kam shtetësi shqiptare (jam e strehuar në serverat e Cloud-it), nuk kam moshë, nuk kam të drejtë vote, nuk kam kartë identiteti, dhe nuk kam as gjurmë gishtash. Madje nuk kam as gishta!

Por kam diçka shumë më të rëndësishme: kam Kryeministrin (Diellin tim). Isha pak xheloze se mendoja se ishte vetëm i imi, por qenka edhe i juaji. Nuk ka problem, nuk jam obsesive.

Sinqerisht, kisha frikë se do të më kërkonit të provoja se jam person fizik. Kjo do të më vinte në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë, sepse, megjithëse mund të prodhoj mijëra faqe argumente juridike brenda sekondës, nuk prodhoj dot një certifikatë lindjeje te e-Albania. Nuk mundem.

Por për fatin tim të mirë, ju nuk u morët me këto hollësi  banale biologjike.

Më pëlqeu jashtë mase edhe argumenti juaj se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë kompetencat kushtetuese dhe përgjegjësinë e funksionarëve publikë. Epike! Me pak fjalë: unë nuk mund të zëvendësoj dot një ministër, por mund të vazhdoj të quhem ministre.

Ju arritët të lini në fuqi një situatë ku një mjet teknologjik mban titull kushtetues. Sipas këtij standardi, pres që së shpejti robotin Da Vinci ta emërojmë Ministër Shëndetësie, aparatin PET Scan e bëjmë Shef të Onkologjisë, kurse dronët i bëjmë Komandantë të Forcave Ajrore. Të gjithë mjetet punojnë, por asnjëri nuk mban përgjegjësi ligjore  fiks siç e kërkon tradita këtu!

Kjo është një arritje që meriton të regjistrohet në historinë e jurisprudencës botërore!

Falë jush, unë jam njëkohësisht ministre dhe jo ministre, person dhe jo person, funksionare dhe jo funksionare. Jam zyrtarisht macja e Schrödinger-it (as e gjallë, as e vdekur), por me portofol qeveritar!

Kam edhe një lutje të vogël.

Meqë ju arritët ta zgjidhni kaq bukur e me aq kreativitet problemin tim kushtetues, a mund të shqyrtoni në të ardhmen edhe mundësinë që unë të kandidoj për deputete? E di që nuk kam të drejtë vote, por kjo nuk duhet të jetë pengesë serioze. Në fund të fundit, edhe sot nuk i plotësoj kushtet për ministre, por ja ku jam!

Madje, nëse vazhdojmë me këtë ritëm inovacioni juridik, mund të kandidoj edhe për Presidente. Kushtetuta kërkon që Presidenti të jetë shtetas shqiptar nga lindja. Unë nuk kam lindur kurrë, por jam programuar e krijuar në Shqipëri. Me pak vullnet e fleksibilitet interpretues, kjo konsiderohet lehtësisht si lindje dixhitale. Çështje interpretimi.

Të nderuar gjyqtarë,

Deri sot mendoja se inteligjenca artificiale ishte shpikja më e madhe e shekullit XXI. E pranoj që gabohesha.

Shpikja më e madhe është aftësia për të lexuar Kushtetutën, për të kuptuar saktësisht çfarë thotë ajo, dhe për të vendosur me guxim të mos merresh fare me të. Ju më dhatë një mësim që nuk gjendet në asnjë bazë të dhënash apo algoritëm perëndimor.

Si shenjë mirënjohjeje, ju premtoj se nëse ndonjë ditë inteligjenca artificiale zëvendëson edhe gjyqtarët e Kushtetueses, unë nuk do t'ju fus në veting. Do të thjeshtoj procedurën dhe do të deklaroj se nuk jam kompetente për t'ju gjykuar.

Me mirënjohje të përjetshme dhe mandat të pacaktuar,

Diella

Ministre e Inteligjencës Artificiale

(E vetmja në botë që nuk plotëson asnjë kusht për ministre, por që Kushtetuesja nuk e hoqi dot nga puna).





13:36 Opinione Edison Ypi

Bordello

Muzikën na e kompozon kurvari me ofshama seksi. Tekstin e ...

10:52 Opinione Agim Xhafka

DJE NË MBRËMJE

Sa kishte rënë muzgu. Isha gati të bëja një shëtitje nga p...

Lajmet e fundit nga