Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka hapur kryesisht një hetim preliminar për të shqyrtuar veprimet e Policisë së Kosovës gjatë menaxhimit të protestës.
Të lidhura
None found
Institucioni ka bërë të ditur se pjesë e verifikimeve do të jenë edhe pretendimet për afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës, krahas ankesave të dorëzuara nga qytetarët.
IPK njoftoi se për ankesat e paraqitura në objektet e tij, si dhe për rastet e nisura sipas detyrës zyrtare, kanë filluar veprimet hetimore. Në kuadër të tyre po sigurohen video-incizime dhe prova të tjera, po merren deklarata dhe po shqyrtohen dokumentet zyrtare të Policisë që lidhen me menaxhimin e protestës.
“IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, deklaruan nga IPK.
Protesta u organizua me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Gjatë saj, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, shprehu dyshime se Policia e Kosovës kishte përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, për të cilin pretendohet se afati i përdorimit kishte skaduar. Bombolat e gazit lotsjellës janë incizuar nga Radio Dukagjini dhe paraqiten në fotografi.




