I vendosi zjarrin marketit në Cërrik dhe rrezikoi punonjësit, arrestohet autori

Një rast i zjarrvënies së qëllimshme në një supermarket në lagjen nr. 3 të Cërrikut është zbardhur brenda pak orësh nga Policia. Për ngjarjen është identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar autori i dyshuar, një 45-vjeçar banues në Cërrik.
Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:30, kur Policia është njoftuar se në një supermarket në lagjen nr. 3 ishte vënë qëllimisht zjarr.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e autorit.
Si rezultat i këtyre veprimeve, në pak orë është bërë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe kapja e shtetasit A. M., 45 vjeç, banues në Cërrik, i dyshuar si personi që ka ndezur zjarrin në subjekt.
Nga flakët janë djegur produkte të ndryshme të marketit, ndërsa situata ka krijuar rrezik edhe për punonjësit që ndodheshin brenda subjektit në momentin e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe motivin e zjarrvënies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
45-vjeçari dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.




