Një 45-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë në Cërrik, pasi akuzohet se i vuri zjarrin një marketi në lagjen nr. 3, mëngjesin e së enjtes.
Sipas policisë, si pasojë e flakëve u rrezikuan punonjësit që ndodheshin në subjekt, si dhe u dogjën disa produkte.
“Rreth orës 07:30 të datës 08.10.2026, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në një supermarket në lagjen nr. 3, ishte vënë qëllimisht, zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik shkuan në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale, mundësuan në pak orë, identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të rastit, shtetasit A. M., 45 vjeç, banues në Cërrik”, thuhej në njoftimin paraprak të bluve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.













