Avokati Ilia Ilia ka ngritur akuza të forta se vjedhja e fondeve publike në Postën Shqiptare nuk kufizohet vetëm në Durrës, por është pjesë e një skeme më të gjerë, ku, sipas tij, bashkëshortët Mataj janë përfshirë nga persona të tjerë. Ai pretendon se firmat e ish-drejtoreshës së Postës Durrës, Elisabeta Matajt, janë falsifikuar dhe kërkon që çështja të hetohet nga SPAK. Deklaratat e tij erdhën pasi Gjykata e Durrësit vendosi të lërë në burg klientin e tij, Feta Mataj.
Avokati i Feta Matajt, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e akuzuar për përvetësimin e fondit të pensioneve dhe ndihmës ekonomike, ka hedhur akuza të forta dhe tronditëse për mënyrën se si, sipas tij, vidhen fondet publike në Postën Shqiptare. Avokati Ilia Ilia deklaron se skandali i vjedhjes nuk kufizohet vetëm në filialin e Durrësit, por shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Ai akuzon se në këtë aferë, bashkëshortët Mataj janë përdorur dhe përfshirë nga persona të tjerë, të cilët janë organizatorët dhe përgjegjësit kryesorë të gjithë skemës së grabitjes së fondeve publike.
Sipas Ilias, fondet nuk janë vjedhur përmes firmës së Elisabeta Matajt, pasi firmat e saj janë falsifikuar. Avokati shkon edhe më tej, duke akuzuar se personat që qëndrojnë pas vjedhjes së fondeve publike, jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë, kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Sipas tij, përmasat e kësaj çështjeje janë shumë më të mëdha se një rast i izoluar dhe duhet të hetohen në thellësi nga SPAK.
Deklaratat dhe akuzat e forta të avokatit Ilia Ilia kanë ardhur pak pas përfundimit të seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Feta Matajt, për të cilin Gjykata e Durrësit vendosi masën “Arrest me burg”.
© SYRI.net