Granit Xhaka ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë Publike lidhur me çështjen e falsifikimit të certifikatës së vaksinimit kundër Covid-19.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në “Story” në Instagram, kapiteni i Zvicrës bëri të ditur se është dënuar për “marrje të rreme të një certifikimi fallco”. Dënimi konsiston në 50 kuota ditore, me vlerë 3000 franga secila, që në total arrijnë në 150 mijë franga ose 14,75 milionë lekë.
Sipas vendimit të Prokurorisë, kjo masë është pezulluar për një periudhë dyvjeçare. Kjo do të thotë se dënimi nuk do të zbatohet nëse Xhaka nuk kryen asnjë shkelje gjatë kësaj kohe.
“Disa javë më parë deklarova këtu se do të mbaja përgjegjësinë për vendimin tim dhe vazhdoj të qëndroj pas kësaj. Pasi dhashë dëshminë e plotë në Prokurorinë Publike, tashmë është marrë vendimi përfundimtar”, shkroi Xhaka.
Ai sqaroi se, përmes një urdhri penal, është dënuar për marrjen e një certifikimi të rremë me një gjobë me kusht prej 50 kuotash ditore nga 3000 franga, me një periudhë prove prej dy vitesh.
“Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse nuk bëj asnjë shkelje gjatë kësaj periudhe. Shpenzimet e procedurës i kam shlyer tashmë. E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë për të. Ju falënderoj për të gjitha mesazhet mbështetëse që më keni dërguar gjatë javëve të fundit. Ato kanë shumë rëndësi për mua”, përfundoi futbollisti shqiptar.




