
Rreth 50 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, me anëtarë të lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Operacioni, i koordinuar me mbështetjen e Europol-it, kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë. Në Slloveni u arrestuan 34 persona, ndërsa arrestime u kryen edhe në Spanjë dhe Kroaci. 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët, gjatë një hetimi disa-vjeçar.
Sipas Europol-it, mes të dyshuarve ka shtetas të Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës. Në hetim kanë marrë pjesë autoritetet policore dhe gjyqësore të 22 shteteve.
Hetuesit dyshojnë se rrjeti kriminal nuk merrej vetëm me trafikun e narkotikëve, por ishte i përfshirë edhe në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje, tentativa vrasjeje, rrëmbime, të shtëna me armë dhe sulme me granata dore.
Gjatë aksionit të fundit u sekuestruan 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, municion, bizhuteri dhe para të gatshme.
Sipas hetimit, grupi përdorte ngarkesa të ligjshme tregtare për të fshehur sasitë e drogës dhe transportonte narkotikët me kamionë, furgonë dhe automjete. Për koordinimin e aktiviteteve kriminale përdoroheshin edhe platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom.
Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet kanë sekuestruar 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA, si dhe armë automatike, pistoleta dhe municion.
Megjithatë, Europol vlerëson se sasitë e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të aktivitetit të rrjetit. Përmes analizimit të komunikimeve të enkriptuara dhe provave të tjera, hetuesit kanë identifikuar transportimin e dyshuar të rreth 2.5 tonëve kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë dhe sasi të tjera narkotikësh.
Autoritetet dyshojnë gjithashtu se mosmarrëveshjet dhe humbjet e ngarkesave të drogës kanë shkaktuar episode të dhunshme mes anëtarëve të rrjetit, përfshirë një tentativë vrasjeje në Spanjë.
Operacioni u koordinua në kohë reale nga një qendër operative në Lubjanë, ku morën pjesë ekspertë të Europol-it dhe hetues nga vendet e përfshira në aksion./Versus.al

