Reshje intensive deri lokalisht shumë intensive priten gjatë pasdites së sotme dhe gjatë ditës së nesërme në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa reshje intensive parashikohen edhe në qarkun Durrës.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshje me intensitet mesatar deri lokalisht intensiv priten edhe në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë. Në qarqet e tjera, reshjet parashikohet të jenë kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se reshjet, të cilat në shumicën e qarqeve pritet të shoqërohen me shtrëngata, mund të sjellin vërshime uji në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje dherash. Rreziku vlerësohet më i lartë në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Për shkak të situatës së parashikuar, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve, veçanërisht pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të tjera të rrezikuara.
Qytetarëve u kërkohet gjithashtu të shmangin kalimin në rrugë të përmbytura dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, si dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të Mbrojtjes Civile.
Në rast emergjence, qytetarët duhet të kontaktojnë numrat e emergjencës.


