
Një statujë satirike që paraqet presidentin amerikan Donald Trump të zhveshur është inauguruar të martën, më 6 tetor, në ambientet e Parlamentit Europian në Strasburg të Francës.
Vepra, e titulluar “The Orange Plague” (“Pesta Portokalli”), është krijuar nga artisti danez Jens Galschiøt dhe është e veshur me ar. Skulptura paraqet Trumpin të mbajtur mbi shpatulla nga një burrë më i vogël dhe i dobët.
Në njërën dorë, figura mban një shkop të gjatë golfi, ndërsa në tjetrën një peshore. Skulptura është quajtur edhe “Mbreti i padrejtësisë”.
Në piedestalin e saj është gdhendur një mesazh satirik ku thuhet se “Pesta Portokalli” qëndron mbi shpatullat e një njeriu, ndërsa deklaron se do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar atë, përveçse të zbresë nga shpatullat e tij.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësve iu shpërndanë edhe versione të vogla të statujës, të prodhuara me printim 3D, si “simbol proteste”.
Ekspozita në Parlamentin Europian është sponsorizuar nga politikani danez Per Clausen, anëtar i Parlamentit Europian nga e majta.
Vepra synon të përcjellë një mesazh kritik dhe satirik ndaj figurës së presidentit amerikan dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit./Versus.al

